

Policia e Shtetit ka paralajmëruar qytetarët për një skemë mashtrimi kibernetik që po qarkullon përmes mesazheve telefonike, ku autorët përdorin emrat e institucioneve bankare për të përvetësuar të dhënat personale dhe financiare të klientëve.
Sipas njoftimit zyrtar, qytetarët po marrin SMS nga numra të ndryshëm telefoni, ku u kërkohet të verifikojnë identitetin brenda një afati të shkurtër, zakonisht 24 ose 31 orë. Përmes këtyre mesazheve, ata orientohen drejt lidhjeve elektronike që imitojnë faqet zyrtare të bankave, por që në të vërtetë janë krijuar për të vjedhur informacionin e tyre.
Kjo skemë njihet si “Smishing” dhe bazohet në shfrytëzimin e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve bankare, si dhe në krijimin e një ndjesie urgjence për t’i nxitur të veprojnë pa verifikuar vërtetësinë e mesazhit.
Përmes faqeve të falsifikuara, mashtruesit synojnë të sigurojnë numrat e kartave bankare, fjalëkalimet e shërbimeve bankare online, PIN-et dhe kodet e verifikimit. Të dhënat e përvetësuara mund të përdoren më pas për të hyrë pa autorizim në llogaritë bankare dhe për të kryer transaksione financiare në dëm të qytetarëve.
Përballë kësaj situate, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhjet e dyshimta dhe të mos vendosin asnjë të dhënë bankare në faqet ku drejtohen përmes SMS-ve. Gjithashtu, këshillohet që çdo komunikim i dyshimtë të verifikohet drejtpërdrejt me bankën, vetëm përmes kanaleve të saj zyrtare.
Një tjetër apel i rëndësishëm lidhet me rastet kur qytetarët kanë plotësuar tashmë të dhënat në faqe të tilla. Në këto raste, ata duhet të kontaktojnë menjëherë bankën për të kërkuar bllokimin e kartës ose të aksesit në llogari, si dhe të denoncojnë rastin pranë Policisë.
Policia thekson se prania e emrit të një banke në një mesazh nuk garanton se komunikimi vjen nga institucioni përkatës. Për këtë arsye, qytetarëve u kërkohet të kontrollojnë gjithmonë burimin e mesazhit dhe adresën elektronike përpara se të kryejnë ndonjë veprim.
Ndërkohë, strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik vijojnë punën për identifikimin e autorëve dhe hetimin e këtyre veprimtarive kriminale. Qytetarëve që kanë marrë mesazhe të tilla u kërkohet të ruajnë SMS-të, numrat e telefonit dhe lidhjet elektronike, në mënyrë që t’i vënë në dispozicion të Policisë gjatë denoncimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






