Transmetuar më 02-11-2026, 14:43

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë lidhur me dorëheqjet e disa drejtuesve të institucioneve shtetërore, pas procesit të vlerësimit të performancës së tyre në punë.

Gjatë prezantimit të reformës së re të administratës publike, të emërtuar “Shkalla e Meritës”, kreu i qeverisë shpjegoi se synimi i këtij procesi nuk është thjesht largimi i drejtuesve apo zëvendësimi i tyre me emra të rinj, por identifikimi i problematikave dhe rritja e përgjegjshmërisë në drejtimin e institucioneve.

Rama theksoi se vlerësimit, rreth dhjetë ditë më parë, iu nënshtruan qindra drejtues, ndërsa paralajmëroi se aty ku konstatohen probleme të përsëritura dhe rezultate të dobëta duhet të ketë edhe pasoja.

“Dhjetë ditë më parë, qindra drejtues iu nënshtruan një procesi vlerësimi të rezultateve në punë. Nuk është garë për të parë sa drejtues largohen apo për të ndryshuar emra, hiq Colin dhe sill Lolin. Është kërkesë për të parë ku ka çaluar puna dhe ku ka prodhuar më keq rezultate për shtetin. Aty ku problemet përsëriten duhet të ketë pasoja, pa cenuar kapacitetet dhe procesin e negociatave me BE-në”, deklaroi Rama.

Në fjalën e tij, kryeministri u ndal edhe te tre shtyllat kryesore të reformës së re: hyrja në administratë përmes testimit kombëtar, avancimi në karrierë mbi bazën e meritës dhe përgjegjshmëria e drejtuesve në menaxhimin e institucioneve.

Sipas Ramës, një nga problemet e administratës publike ka qenë mungesa e një sistemi të drejtë vlerësimi, ku përkushtimi dhe aftësitë profesionale të punonjësve të mos varen nga vlerësimi subjektiv i drejtuesve.

Ai bëri të ditur se hyrja në administratë do të mbështetet në një testim kombëtar, në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, ndërsa kandidatët që do ta kalojnë me sukses do të pajisen me një certifikatë të vlefshme për katër vite.

Kryeministri nënvizoi se reforma synon të krijojë një sistem ku merita të jetë kriteri kryesor si për punësimin, ashtu edhe për zhvillimin profesional dhe karrierën në administratën shtetërore.

Pjesa e plotë ku flet për furtunën në kolltukët e drejtorëve

Rreth 10 ditë më parë, drejtues të një numri institucionesh që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejtë për qytetarët, i janë nënshtruar një proces i vlerësimit të rezultateve në punë. Kjo nuk është aspak një lëvizje e panatyrshme, as një garë për të parë sa drejtues largohen nga detyra dhe as një ushtrim për të ndryshuar emra në kryet institucioneve, apo hiq Colin dhe sill Lolin, është një kërkesë për të parë me një sy më kritik se ku drejtimi ka prodhuar rezultatet dhe ku ka prodhuar vetëm rutinë ose më keq akoma kosto për imazhin e institucioneve të atij shtetit.

Aty ku ka profesionalizëm e rezultate, ato duhen njohur dhe duhen mbrojtur. Aty ku problemet përsëriten dhe përgjegjësia mungon, duhet të ketë pasoja pa cënuar kapacitetet dhe pa ndërprerë asnjë moment punën në shërbim të qytetarëve, por edhe procesin e negociatave me Bashkimin Europian.

Ky proces dhe shkalla e meritës bashkohen në një parim. Drejtimi i institucionit nuk mund të jetë një privilegj i shkëputur nga rezultatet dhe llogaridhënia nuk mund të fillojë vetëm kur problemet fillojnë dhe bëhen publike. Ajo duhet të jetë pjesë e përditshme e funksionimit të shtetit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit