Transmetuar më 02-11-2026, 14:25

Sherr i dhunshëm mes katër burrave në Kombinat, një i plagosur përfundon te Trauma, një i arrestuar dhe dy në kërkim

Tiranë – Një konflikt i dhunshëm mes katër burrave ka ndodhur në zonën e Kombinatit, në Tiranë, ku një person ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për mjekim në Spitalin e Traumës.

Sipas policisë, përplasja dyshohet se ka nisur për motive të dobëta dhe ka degjeneruar në dhunë fizike, me grushte, sende të forta dhe kërcënime me thikë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasit G. K., 56 vjeç, A. K. dhe D. M., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë sulmuar fizikisht 41-vjeçarin E. L., duke e goditur me sende të forta dhe duke e kërcënuar me një mjet prerës.

Gjatë përplasjes, edhe 41-vjeçari dyshohet se i ka goditur me grushte tre personat e tjerë, raporton noa.al.

Si pasojë e dhunës, E. L. ka përfunduar në Spitalin e Traumës, ku po merr ndihmë mjekësore.

Pas ngjarjes, policia ka arrestuar në flagrancë 56-vjeçarin G. K., ndërsa dy personat e tjerë të dyshuar, A. K. dhe D. M., janë shpallur në kërkim.

Ndërkohë, ndaj 41-vjeçarit E. L. ka nisur procedimi penal për përfshirjen e tij në konflikt.

Policia po vijon procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e dy personave të shpallur në kërkim. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit