

TIRANË, 2 nëntor — Kryeministri Edi Rama ka prezantuar paketën e re të reformave për administratën publike, të pagëzuar me emrin “Shkalla e Meritës”. Nisma synon të garantojë transparencë, punësim dhe karrierë të bazuar ekskluzivisht te aftësitë profesionale në hierarkinë shtetërore, duke përfshirë gjithashtu mbështetjen e inteligjencës artificiale në procese.
Kryeministri njoftoi gjithashtu krijimin e një ministrie të re të dedikuar posaçërisht për administratën publike dhe mirëqeverisjen. Drejtimi i këtij dikasteri të ri do t’i besohet Adea Pirdenit.
Sipas kreut të Qeverisë, ministria e re do të ketë në fokus organizimin e institucioneve, menaxhimin dhe trajtimin e kapitalit njerëzor, si dhe rritjen e përgjegjshmërisë së nëpunësve ndaj qytetarëve, për të shmangur burokracinë në zyrat shtetërore.
“Kemi reflektuar mbi mënyrën se si të jemi më pranë njerëzve, duke e sjellë më pranë administratën, më pranë shtetin, duke sjellë më pranë tyre edhe ndjesinë se janë ata që janë arsyeja ekzistenciale, jetësore e shërbimeve të administratës.
Pjesë e këtyre ndryshimeve, ku kemi thirrur në ndihmë IA-në, por jo vetëm, është edhe Shkalla e Meritës. Tjetër reformë që në thelb ka të bëjë me një pyetje shumë të thjeshtë: Si ta bëjmë administratën një hapësirë ku njerëzit më të aftë, më të përgatitur, më të përkushtuar dhe më të dëshiruar që t’i shërbejnë vendit nga ana e shtetit, të mund jo vetëm të hyjnë, por edhe të ecin përpara, kur hyjnë, në shkallën e hierarkisë në administratë?
Pjesë e kësaj reforme është edhe krijimi i Ministrisë së Administratës Publike, që i përkushtohet administratës dhe mirëqeverisjes, përfshirë organizimin e institucioneve, trajtimin e kapitalit njerëzor dhe përgjegjësinë e secilit brenda administratës ndaj qytetarit që troket, kërkon t’i qahet halli dhe kërkon që halli i tij të mos humbasë në oqeanin e burokracisë”, tha Rama.
“Shkalla e Meritës”, një reformë e re për transformimin e administratës publike
“Shkalla e Meritës”, reforma e re për administratën publike synon të vendosë standarde të unifikuara për hyrjen në administratë, zhvillimin e karrierës dhe vlerësimin e performancës, duke garantuar që profesionalizmi, aftësitë dhe rezultatet të jenë përcaktuese në çdo nivel të shërbimit publik. Përmes testimit unik kombëtar, Regjistrit Kombëtar të Talenteve dhe instrumenteve digjitale, reforma synon të forcojë transparencën, llogaridhënien dhe një administratë më profesionale, në funksion të qytetarëve dhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
***
Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve!
Shumë shpesh keni dëgjuar dhe kam dëgjuar gjatë këtyre javëve se për muaj të tërë disa janë përpjekur të dëgjohen, por askush nuk i ka dëgjuar, përfshirë dhe mua.
Në fakt, tërësisht e kundërta është e vërtetë dhe është kaq e vërtetë saqë nëse sot ne kemi ‘’Besën’’, ‘’Praninë besnike’’, ‘’Pasqyrë Albania”-n, kemi një Diellë të transformuar në një shërbëtor që është aty aktivisht jo vetëm për të instruktuar, por edhe për të bërë një pjesë të madhe të punës që deri dje e bënin ata që hynin për të marrë shërbime tek e-Albania, kjo është sepse kam reflektuar dhe kemi reflektuar mbi si të jemi më pranë njerëzve duke e sjellë më pranë administratën, duke sjellë më pranë shtetin, duke sjellë më pranë tyre edhe ndjesinë se janë ata që janë arsyeja ekzistenciale, jetësore e shërbimeve të administratës dhe pjesë e gjithë këtyre ndryshimeve ku kemi thirrur në ndihmë Inteligjencën Artificiale, teknologjinë, por jo vetëm, është edhe ‘’Shkalla e Meritës’’.
‘’Shkalla e Meritës’’ është një tjetër reformë që në thelb ka të bëjë me një pyetje shumë të thjeshtë: Si ta bëjmë administratën shqiptare një hapësirë ku njerëzit më të aftë, njerëzit më të përgatitur, njerëzit më të përkushtuar dhe mbi të gjitha njerëzit më të dëshiruar që t’i shërbejnë vendit nga fronti i administratës, nga ana e shtetit, të mund jo vetëm të hyjnë, por dhe të ecin përpara kur hyjnë në shkallën e hierarkisë në administratë. Prandaj e kemi quajtur ‘’Shkalla e Meritës’’ dhe pjesë e kësaj reforme është edhe ç’ka kam shpallur me krijimin e Ministrisë së Administratës Publike, një ministri që për herë të parë i përkushtohet tërësisht administratës dhe mirëqeverisjes dhe që përfshin organizimin e institucioneve, trajtimin e kapitalit njerëzor, cilësinë e shërbimeve dhe përgjegjësinë e shtetit dhe të secilit brenda administratës ndaj qytetarit që me të drejtë troket, kërkon, ankohet, kërkon t’i qahet halli dhe kërkon mbi të gjitha që halli i tij të mos humbasë në oqeanin e burokracisë.
Jam këtu me ministren, ministren e Administratës Publike, e cila si ministre e Shtetit për Administratën dhe Antikorrupsionin ka udhëhequr prej kohësh tanimë këtë reformë dhe krijimi i ministrisë mori natyrshëm më shumë vëmendje ndërkohë që ministria nuk ngrihet mbi hiçin po ngrihet mbi një punë dhe mbi një bazë të mirë.
Krijimi i Ministrisë është një zhvillim i rëndësishëm institucional, ndërsa ‘’Shkalla e Meritës’’ që mund të duket si një aspekt më teknik në fakt prek diçka më të thellë, mënyrën se si e kuptojmë marrëdhënien e qytetarit me shtetin dhe të shtetit me njerëzit që punojnë për të, pra për shtetin.
Përgjatë këtyre viteve transformimi i administratës publike shqiptare flet me fakte, fakte të cilat si të gjitha faktet humbasin në ‘’mjegullën’’ e madhe të së përditshmes, të gënjeshtrave, të gjysmë të vërtetave që janë gënjeshtrat më të mëdha dhe të lajmeve që natyrshëm duke qenë të ditës, zënë vendin kryesor, por ne e kemi ndryshuar mënyrën si ofrohen shërbimet. Kemi hequr sportelet, ato sportelet e tmerrshme të cilat është mirë që t’i kujtojmë kur flasim për nga kemi ardhur, ku jemi dhe ku duam të shkojmë dhe që ishin përcaktuese në jetën e përditshme të qytetarëve për një pjesë dërrmuese të shërbimeve.
Kemi investuar shumë në teknologji, gjë që na ka bërë një shembull në rajon dhe gjë që ka tërhequr vëmendje edhe përtej rajonit duke na kthyer në një adresë ku ftohemi për të ndarë eksperiencën në konferenca, në forume, në samite të shërbimeve dhe të teknologjisë dhe kemi ndërtuar një infrastrukturë digjitale që na ka vendosur faktikisht, jo sipas meje, jo sipas nesh, por sipas Bankës Botërore, në grupin më të përparuar të vendeve në vlerësimin e GovTech-ut, e qeverisjes përmes teknologjisë. Kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm në një fushë ku dikur shteti ishte sinonim i radhëve, i letrave, i vulave, i humbjes së kohës dhe i bakshisheve, qoftë edhe për të marrë në kohë një certifikatë lindjeje.
Sot të gjitha këto duken kaq të largëta dhe janë faktikisht kaq shumë larg saqë bëhet e pamundur edhe për të patur një mirëkuptim të menjëhershëm kur i sjellim në vëmendje sepse për shumëkënd gati-gati nuk kanë ekzistuar, por në fakt dallimi i madh mes një shteti që ka sisteme moderne dhe një shteti që funksionon në mënyrë moderne në çdo nivel të tij, bëhet pikërisht tek përparimi i administratës dhe këtu unë njerëzve u jap të drejtë.
Mund ta kesh shërbimin më të sofistikuar digjital, por nëse pas atij shërbimi qëndron një institucion që gjithsesi nuk i përgjigjet qytetarit në kohë, nuk merr përgjegjësi kur kërkesa e qytetarit zvarritet apo humbet, nuk ka aftësi vetëkorrigjuese, atëherë qytetari vazhdon të ketë një problem serioz me shtetin në tërësi pasi mjafton një institucion, mjafton një derë që nuk hapet për të krijuar një perceptim shumë negativ për shtetin në tërësi. Mund të kesh rregullat më të mira të rekrutimit, ne i kemi, por nëse brenda institucionit njeriu që punon më mirë nuk ka më shumë mundësi të përparojë se ai që nuk punon, atëherë thellësisht sistemi nuk mund të konsiderohet tërësisht funksional.
Prandaj me ‘’Besën’’ kemi synuar të ndryshojmë pikërisht këtë marrëdhënie të qytetarit me shërbimin.
Me me ‘’Pasqyrën’’ forcojmë transparencën dhe llogaridhënien.
Ndërsa me ‘’Shkallën e Meritës’’ po futemi te një element që i ndikon të gjithë të tjerët: njerëzit e administratës, mënyrën se si menaxhohen si kapital njerëzor dhe se si vlerësohet ky kapital njerëzor i Republikës së Shqipërisë.
Dua të ndalem këtu dhe për një arsye tjetër që lidhet me përvojën e Shqipërisë gjatë procesit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. E kam thënë dhe do ta them gjithnjë: kur ishim duke hyrë në këtë proces thosha gjithmonë me kolegët, me koleget: ‘Okej, okej, po shtyjmë, po shtyjmë, po shtyjmë dhe këto dreq negociatash do hapen, po pastaj si do ia bëjmë kur të ulemi në tryezë?” Sepse rezervat e mia nëse administrata jonë do të ishte në gjendje të përballonte atë që na priste, ishin serioze. Dhe këtu nuk është fjala për një volum pune që është i jashtëzakonshëm, por për nivelin e përgatitjes, për thellësinë e njohurive, për disiplinën që kërkon një proces i tillë me burokratët e Brukselit përballë, që janë si një sahat zviceran kur i thonë fjalës, si mekanizma të një sahati zviceran.
Sot konfirmohet, konfirmohet në fakt hap pas hapi dhe jo nga ne, jo nga unë, por nga Brukseli dhe nga partnerët europianë me të cilët shkëmbejmë intensivisht çdo ditë tashmë në kuadrin e negociatave, se administrata jonë ka fatmirësisht njerëz që njohin në detaje fushat. Fusha në fakt disa herë shumë komplekse, njerëz që përballen me ekspertët e Komisionit Europian me dinjitet si të barabartë dhe që fitojnë dhe ushqejnë respekt, njerëz që faktikisht janë përkushtuar në jetën e tyre profesionale shërbimit ndaj Republikës së Shqipërisë e për këtë, ndaj vetë Shqipërisë europiane. Dhe nuk flas këtu për një apo dy individë sepse një, dy, tre, dhjetë, pesëmbëdhjetë gjenden. Këtu flas për qindra njerëz, për një potencial të tërë profesional që ekziston sot brenda shtetit shqiptar dhe që ne kemi detyrimin ta njohim shumë më mirë dhe ta vlerësojmë me shumë më tepër kujdes.
Këtu nuk është fjala thjesht për teknicienë që përgatisin ligje të përputhura me standardet e BE-së apo që thjesht janë nxënës të mirë në ‘’shkollën’’ e shtetbërjes së Brukselit, por flitet për ata që po formësojnë ditë pas dite një administratë të Shqipërisë shtet anëtar i Bashkimit Europian.
Megjithatë, siç kemi parë dhe siç kemi kuptuar edhe nga anketimet e brendshme që bëjmë çdo vit me nëpunës të administratës, një nëpunës mund të punojë me përkushtim për vite me radhë, të marrë përsipër përgjegjësi të mëdha dhe përsëri të mos ketë një rrugë të qartë për t’u rritur në karrierë. Mund të ketë fatin të punojë me një drejtues që ia njeh vlerën, që ia çmon meritën, por mund të ketë dhe një drejtues që nuk ia njeh, që nuk ia çmon dhe karriera e tij shpesh mund të varet nga kjo rastësi.
Kjo është e padrejtë dhe kjo në fakt nuk është vetëm e padrejtë për individët që meritojnë të respektohen, që meritojnë të vlerësohen, që meritojnë të promovohen, por kjo bëhet pastaj e padrejtë për qytetarët që shërbehen, sepse kjo krijon brenda organizmit të administratës një mpirje, një demotivim dhe një prishje, pikërisht të asaj shkalle të meritës që ne do ta vendosim në qendër të vëmendjes sonë dhe që do të jetë prioriteti i prioriteteve të Ministrisë së re për Administratën Publike.
Deri më sot kemi bërë shumë për të përmirësuar kushtet e punës në administratë. Kemi rritur pagat nga 35% deri në 65% dhe kemi sot një pagë mesatare në sektorin publik që është rreth 1100 euro.
Kemi investuar në formimin profesional, por dhe në përmbushjen e kërkesave për kushte pune dinjitoze, përmes investimeve të reja në infrastrukturën fizike, përmes projekteve të Koorporatës Shqiptare të Investimeve, projekte të cilat janë në fillimet e tyre, por gjithsesi garantojnë që në Shqipërinë shtet anëtar i Bashkimit Europian, administrata më në fund do të jetë e gjitha e akomoduar në kushte optimale dhe nuk do ketë më pjesë të saj që strehohen në mjedise me qira për shembull.
Megjithatë, një pagë më e mirë dhe kushte më të mira pune nuk e zgjidhin vetvetiu problemin themelor: meritën. E kemi dëgjuar dhe dëgjojmë gjithmonë e më shpesh, është bërë në një farë mënyre dhe si një trend në një bisedë të gjerë publike se “ku është merita, s’ka meritë, s’vlerësohet njeriu sipas meritës” dhe ky dëgjim është i rëndësishëm, edhe pse jo e gjitha është e zezë ashtu sikundër jo e gjitha është e bardhë. Ka shumë më tepër nuanca brenda këtij vlerësimi, por jemi të vetëdijshëm.
Mund t’i paguash më mirë njerëzit dhe përsëri mos arrish të dallosh atë që punon shkëlqyeshëm nga ai që bën minimumin. Dhe këtë dallim nuk duhet ta lëmë dhe nuk do ta lëmë në dorën e një drejtuesi apo një drejtuesi tjetër. Ky dallim duhet të bëhet sistemik.
Mund të investosh në trajnime dhe përsëri të mos i hapësh rrugë atij që ka treguar se është i aftë të marrë përgjegjësi më të mëdha dhe përsëri këtë aftësi për të marrë përgjegjësi më të mëdha, duhet ta lexojë sistemi. Jo thjesht ta kuptojë ose jo personi, ai që është mbi ty. Ne mund të ndryshojmë sa të duam procedura, mund të krijojmë edhe sisteme të reja, mund të bëjmë edhe 100 rregullore të tjera. Nëse në fund njeriu që punon më mirë, nuk ka më shumë mundësi të ecë përpara sesa ai që punon më pak ose nuk punon fare dhe thotë “i kam krahët e ngrohtë”, atëherë nuk kemi ndryshuar atë që është tani sfida të ndryshojmë dhe këtu merr rëndësinë e vet themelore ‘’Shkalla e Meritës’’.
Së pari, te hyrja e administratës. Përmes testimit kombëtar, një provimi kombëtar unik, kandidatët do të kenë mundësinë të dëshmojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre përpara një standardi të përbashkët dhe ky testim kombëtar do të bëhet duke bashkëpunuar me Qendrën e Shërbimeve Arsimore e cila po adopton tanimë modelin e provimeve të Cambridge-it. Provime të sekretuara, standard i barabartë dhe gjithçka përmes teknologjisë në hapin e parë.
Ata që e kalojnë me sukses pajisen me një çertifikatë të vlefshme për katër vjet e cila u mundëson të marrin pjesë për konkurrimet për pozicionet përkatëse. Certifikata e provimit nuk të jep automatikisht një vend pune, por krijon një bazë më të drejtë dhe më të besueshme për konkurrimin. Një i ri kudo që jeton në Shqipëri nuk duhet ta shohë hyrjen në administratë si një derë për të cilën duhet të gjejë dikë që t’ia hapë. Ai duhet ta dijë se ka një rrugë të qartë ku ai mund të provojë atë që di dhe atë që është i aftë të bëjë. Dhe me këtë logjikë ne do të vendosim në dispozicion të të gjithëve këtë derë, derën e provimit unik kombëtar.
Së dyti, përparimi gjatë karrierës. Meritokracia. Flitet shumë për meritokraci. Ka shumë ankesa dhe ka shumë thellësi ndjesia se nuk ka meritokraci, por meritokracia nuk duhet të jetë vetëm një kërkesë që shteti i bën nëpunësit, por duhet të jetë dhe garancia që shteti i jep atij, duke afirmuar në vazhdimësi se puna e mirë njihet dhe se aftësia është kushti i panegociueshëm për ngjitje në shkallët e karrierës.
Së treti, te drejtimi, këtu do jemi dhe më kërkues. Kjo lidhet dhe me një çështje që ka marrë rëndësi të veçantë në zhvillimet e fundit, përgjegjësinë për drejtimin e institucioneve. Rreth 10 ditë më parë, drejtues të një numri institucionesh që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejtë për qytetarët, i janë nënshtruar një proces i vlerësimit të rezultateve në punë. Kjo nuk është aspak një lëvizje e panatyrshme, as një garë për të parë sa drejtues largohen nga detyra dhe as një ushtrim për të ndryshuar emra në kryet institucioneve, apo hiq Colin dhe sill Lolin, është një kërkesë për të parë me një sy më kritik se ku drejtimi ka prodhuar rezultatet dhe ku ka prodhuar vetëm rutinë ose më keq akoma kosto për imazhin e institucioneve të atij shtetit.
Aty ku ka profesionalizëm e rezultate, ato duhen njohur dhe duhen mbrojtur. Aty ku problemet përsëriten dhe përgjegjësia mungon, duhet të ketë pasoja pa cënuar kapacitetet dhe pa ndërprerë asnjë moment punën në shërbim të qytetarëve, por edhe procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
Ky proces dhe shkalla e meritës bashkohen në një parim. Drejtimi i institucionit nuk mund të jetë një privilegj i shkëputur nga rezultatet dhe llogaridhënia nuk mund të fillojë vetëm kur problemet fillojnë dhe bëhen publike. Ajo duhet të jetë pjesë e përditshme e funksionimit të shtetit.
Krijimi i Ministrisë së Administratës Publike jep kësaj përgjegjësie për menaxhimin e mirë të kapitalit njerëzor të Republikës së Shqipërisë një adresë të qartë institucionale. Kjo do të jetë një ministri që do të vijojë punën reformuese të nisur tashmë me reformën e administratës në tërësinë e saj, me organizimin dhe funksionimin e institucioneve, me zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, me mirëqeverisjen dhe me llogaridhënien. Ndërkohë, shkalla e meritës do të mbështetet në instrumente konkret që do të lehtësojnë aktivizimin e saj në kohë reale. Katalogun kombëtar të pozicioneve dhe kompetencave, regjistrin kombëtar të talenteve, sistemin kombëtar të provimeve digjitale dhe Meritë AI, që është një tjetër element i sistemit.
Tani, çfarë do të thotë në fakt një regjistër kombëtar i talenteve? Do të thotë që, të gjithë ata që duan të kontribuojnë për shtetin shqiptar do të kenë mundësi të regjistrojnë kandidaturën e tyre, pra disponimin e tyre, gatishmërinë e tyre dhe pastaj sipas profesionit dhe sipas fushës së tyre të dijes të dalë nga dokumentat e vënë në këtë regjistër po prej tyre, ata do të informohen në kohë reale për të gjitha mundësitë që krijohen, për të gjitha konkurset që hapen dhe do të kenë mundësi që të jenë jo vetëm të informuar, por dhe të jenë aktiv në raport me këto mundësi dhe me këto konkurse.
Këto instrumenta do na ndihmojnë të vendosim standarde të unifikuara dhe objektive. Të identifikojmë më mirë potencialin profesional, të zhvillojmë konkurse shumë më të besueshme dhe të përdorim të dhënat për të kuptuar ku sistemi funksionon dhe ku ka nevojë për korrigjim. E di që ka skepticizëm, e di që edhe tani që po flas shumëkush thotë “ehu, një mënyrë tjetër për të shtyrë në kohë një periudhë qeverisëse dhe nga ana tjetër për të mos bërë gjënë e duhur”. I kam dëgjuar këto dhe më parë por po kujtoj vetëm një nga shumë faktet. Në vitet e para të qeverisjes sonë, hyrja në universitet vazhdonte të ishte një kaos, vazhdonte të ishte një vrapim ku më të shpejtët nuk ishin ata që kishin këmbët e shpejta, por ata që kishin krahët e mbështetur dhe që kapërcenin pastaj radhët dhe gjendeshin përpara atyre që s’kishin një emër të njohur, s’kishin një mbiemër të famshëm, s’kishin një baba të pasur apo s’kishin një lidhje partie.
Sa vite ka që nuk diskutohet më merita në hyrje në universitet? E njëjta gjë do të ndodhë edhe për administratën, sepse do të jetë e pamundur që të ndërhyhet në sistemin e provimit unik dhe nga ana tjetër në të gjithë sistemin e promovimit sipas meritës që ne po krijojmë me shkallën e meritës. Inteligjenca artificiale do të na ndihmojë të evidentojmë probleme që sot nuk arrijmë t’i shohim në kohë, por i shohim kur ato janë bërë tepër. Nuk do të jetë inteligjenca artificiale që vendos se kush do të punësohet, kush duhet të përparojë, kush duhet të largohet, se përgjegjësia për këto vendime mbetet njerëzore dhe ligjore, por ama falë inteligjencës artificiale gjithçka do të jetë transparente dhe çdo lëvizje, çdo promovim, çdo largim do të jenë të bazuara pikërisht tek standardet e Shkallës së Meritës.
Zbatimi duhet të jetë gradual, me përgatitjen e kuadrit të nevojshëm, me pilotimin e mekanizmave të rinj, me shtrirjen e tyre në vitet në vijim. Nuk pretendojmë se një kulturë e tërë administrative mund të ndryshojë brenda natës. Përkundrazi duam t’ia u themi të tërëve, mos e kërkoni brenda natës ndryshimin dhe kur flasim për një ditë dhe një natë, mos harroni se ajo çka për jetën e njeriut është shumë, qoftë dhe kur bëhet fjalë për një vit për historinë e një vendi është vetëm një fraksion kohe, vetëm një minutë.
Gjithsesi, jam optimist sepse kemi hyrë në një fazë të pakthyeshme kur kërkesat ndaj performancës në një tjetër nivel bëhen gjithnjë e më të mëdha dhe ne nuk po ndërtojmë një administratë europiane vetëm për ditën kur Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Po ndërtojmë përpos sfidave të vjetra dhe të reja një administratë që duhet t’u shërbejë më mirë shqiptarëve sot dhe që pikërisht për këtë arsye do të jetë dhe e denjë për Shqipërinë europiane të së nesërmes.
Këtu po ndalem dhe po ja kaloj fjalën ministres së administratës publike, që e përsëris, ka udhëhequr me kompetencë dhe me vullnet një proces tërë transformimi që është në sytë e të gjithë atyre që duan të shohin, por që sot ka marrë barrën e re të udhëheqjes, së një ministrie të tërë e cila do të jetë zemreku i administratës publike të Republikës së Shqipërisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






