

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke e cilësuar atë si një institucion partiak dhe patericë kryesore të narkoshtetit që ka amnistuar krimin elektoral në Shqipëri.
Gjatë një deklarate për mediat pas daljes nga ambientet e prokurorisë, Berisha theksoi se krimi elektoral është i dokumentuar nga raportet e institucioneve ndërkombëtare si ODIHR, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Parlamenti Evropian, të cilat konfirmuan shkrirjen e partisë në pushtet me shtetin gjatë zgjedhjeve të 11 majit. Kryedemokrati akuzoi drejtuesit e prokurorisë për mbylljen e syve përballë shkeljeve kushtetuese dhe përdori ton të ashpër edhe për mjedisin e brendshëm të ndërtesës, duke pretenduar se u detyrua të përdorte shami xhepi si maskë për shkak të erës së lëndëve opiate.
Sipas Berishës, mos hetimi i krimeve zgjedhore nga struktura e posaçme përbën shkelje të rëndë kushtetuese në shërbim të pushtetit, të cilin ai e quajti shkatërruesin dhe varfëruesin më të madh të qytetarëve shqiptarë.
Deklarata:
"Edhe njëherë dua të denoncoj krimin monstruoz të amnistisë nga ky institucion partiak të krimit elektoral. Krimi elektoral në Shqipëri është sot i certifikuar me dokumentet më themelore të institucioneve ndërkombëtare që merren me zgjedhjet. Krimi elektoral në Shqipëri ka arritur formën më të egër, më barbare, atë që quhet parti-shtet. Institucionet më serioze ndërkombëtare, ODIHR, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Parlamentin Evropian kanë gjetur se zgjedhjet e 11 majit, partia dhe shteti, institucioni dhe strukturat partiake u shkrinë në një.
Por kjo për Altin Hajrin Gjokën Troplinin Farrukun, se zinxhirin e ka të pafundëm ky, pra për të, kjo nuk është krim. Ky seksion i PS kryen krim të rëndë kushtetues kur nuk heton krimin elektoral dhe e amniston atë. Shndërrohet në patericë kryesore të narkoshtetit dhe jo rastësisht mund t’u them se radhën tjetër do vij me maska antidrogë se aty qelbej drogë vendi. Nuk e di se ç’kishte ndodhur sot, por u detyrova të përdor një shami xhepi si maskë për shkak të kundërmimit në të katër anë drogë të këtij institucioni. Dhe krenarë se janë institucion i narkoshtetit. Krenarë se mbrojnë narkoshtetin, i cili përbën pushtuesin më të egër të kombit shqiptar në të gjitha kohërat. Përbën shkatërrimtarin më të madh të qenies sonë kombëtare, varfëruesin më të madh të shqiptarëve," tha Berisha
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






