Transmetuar më 02-11-2026, 10:30

Berisha shkon në SPAK: Kjo seli është seksion i PS, Dumani një mercenar i Ed Ramës

Kryetari demokrat Sali Berisha ishte sot sërish në mjediset e brendshme të SPAK ku bëri "parjen", procedurën e paraqitjes së detyruar dy herë në muaj ndërsa hetohet penalisht për shpërdorim detyre si kryeministër.

Pasi doli nga godina e SPAK Berisha tha se Dumani është mercenar i Padrinos së Shqipërisë dhe se kjo seli është seksion i PS-së.

Ai u tha gazetarëve se ai dhe ata po gjendeshin "në oborrin e selisë së Partisë Socaliste bis, numër 2 apo seksionin special të kësaj partie" dhe shtoi:

‘Altin Gjoka Hajri Troplini dhe pesë mbiemra të tjerë, armikut të egër të pluralizmit politik dhe votës së lirë të shqiptarëve, mercenarit të Padrinos së Shqipërisë, Edvin Kristaq Xhelati, drejtësia vonon, por nuk harron’.

Berisha tha më tej se SPAK ka amnistuar krimin monstruoz elektoral, ndërsa theksoi se "ky është një institucion i narkoshtetit" dhe se "aty brenda qelbej vendi nga droga".

Ish kryeministri denoncoi dhe atë që e quajti krimin monstruoz të amnistisë nga ky institucion partiak të krimit elektoral:

"Krimi elektoral në Shqipëri është sot i certifikuar me dokumentet më themelore të institucioneve ndërkombëtare që merren me zgjedhjet.

Krimi elektoral në Shqipëri ka arritur formën më të egër, më barbare, atë që quhet parti-shtet.

Institucionet më serioze ndërkombëtare, ODIHR, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Parlamentin Evropian kanë gjetur se zgjedhjet e 11 majit, partia dhe shteti, institucioni dhe strukturat partiake u shkrinë në një.

Por kjo për Altin Hajrin Gjokën Troplinin Farrukun, se zinxhirin e ka të pafundëm ky, pra për të, kjo nuk është krim.

Ky seksion i PS kryen krim të rëndë kushtetues kur nuk heton krimin elektoral dhe e amniston atë.

Shndërrohet në patericë kryesore të narkoshtetit dhe jo rastësisht mund t’u them se radhën tjetër do vij me maska antidrogë se aty qelbej drogë vendi.

Nuk e di se ç’kishte ndodhur sot, por u detyrova të përdor një shami xhepi si maskë për shkak të kundërmimit në të katër anë drogë të këtij institucioni.

Dhe krenarë se janë institucion i narkoshtetit.

Krenarë se mbrojnë narkoshtetin, i cili përbën pushtuesin më të egër të kombit shqiptar në të gjitha kohërat.

Përbën shkatërrimtarin më të madh të qenies sonë kombëtare, varfëruesin më të madh të shqiptarëve.

/noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit