Transmetuar më 02-11-2026, 10:14

PRISHTINË — Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bllokuar importin e një ngarkese prej më shumë se 25 tonë misër merkantil dhe ka ndaluar shitjen e një produkti ushqimor për kafshë, pasi kontrollet laboratorike konstatuan praninë e aflatoksinës mbi normat e lejuara ligjore.

Gjatë kontrollit kufitar të ngarkesës prej 25,120 kg misër të destinuar për një kompani nga Gjilani, analizat e AUV-së dhe ato të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike konfirmuan praninë e aflatoksinës B1 në nivel prej 30 µg/kg dhe aflatoksinë totale prej 47 µg/kg, përkundrejt vlerës maksimale referente prej 10 µg/kg. Pas këtyre rezultateve, Inspektorati Fitosanitar vendosi refuzimin e menjëhershëm të importit dhe kthimin e ngarkesës mbrapsht në vendin e origjinës.

Në vijim të inspektimeve në tregun e brendshëm, AUV konstatoi nivele të larta të mikotoksinës edhe në produktin “Ushqim për viça deri 300 kg”, duke urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga qarkullimi. Aflatoksina B1 është një substancë mjaft toksike e prodhuar nga myku, e cila shkakton dëmtime në mëlçi dhe mund të bartet te qumështi i kafshëve si aflatoksinë M1, duke cenuar drejtpërdrejt sigurinë ushqimore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit