

Nga 1 nëntori zyrtarisht dhe de fakto nga sot, shërbimi i hemodializës ka kaluar në administrimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH), pas përfundimit të kontratës koncesionare.
Në këtë mënyrë ka marrë fund një proces pagesash shumë miliardëshe që përfituan spitale private në Shqipëri.
Ministrja e Shëndetësisë Klodiana Spahiu tha sot se përparësi mbetet garantimi i vijimësisë, sigurisë dhe cilësisë së këtij shërbimi jetik, pa ndërprerje për pacientët.
"Ekipet janë angazhuar në përgatitjet përfundimtare për funksionimin e plotë të shërbimit nga 2 nëntori, duke vendosur në qendër të çdo mase sigurinë dhe kujdesin ndaj pacientëve", tha Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu.
Ajo theksoi se fokusi kryesor i këtij tranzicioni mbetet mbarëvajtja e procesit mjekësor për të gjithë pacientët që marrin këtë shërbim.
Sipas ministrisë, asnjë ndryshim në strukturat menaxhuese nuk do të cenojë marrjen e kujdesit mjekësor. Për Spahiun, “pacienti është mbi çdo ndryshim administrativ dhe sinteresi i pacientit mbetet prioritet absolut”.
Ministrja tha se ka nisur shpërndarja e materialeve dhe sistemimi i furnizimeve mjekësore në qendrat kryesore të hemodializës në rrethe, përfshirë ato të Shkodrës, Lezhës, Elbasanit dhe Korçës. Synimi është që shërbimi të jepet çdo ditë pa ndalim.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






