

TIRANË — Rreth 21 për qind e arrestimeve të kryera nga Policia e Shtetit gjatë protestave antiqeveritare dhe studentore të javëve të fundit janë vlerësuar si të paligjshme nga Gjykata e Tiranës dhe prokuroria, sipas të dhënave të publikuara nga Rrjeti Gazetarsik për Raportimin e Hetimit në Ballkan (BIRN).
Nga 319 protestues të arrestuar që prej 13 tetorit deri më 31 tetor, 291 prej tyre janë përballur me togat e zeza për vlerësimin e masës së sigurisë, ku 62 arrestime u shpallën në shkelje të ligjit. Mes të ndaluarve numërohen 38 të mitur, nga të cilët gjashtë raste u cilësuan të paligjshme nga gjykata. Përgjatë kësaj periudhe, vetëm 12 persona janë lënë në arrest me burg, tetë në arrest shtëpie, ndërsa masa më e zakonshme ka qenë ajo e detyrimit për paraqitje për 157 protestues.
Ekspertët ligjorë dhe avokatët mbrojtës kanë ngritur shqetësime serioze për përdorim jo-proporcional të forcës, mungesë të provave individuale, intimidim dhe shkelje të të drejtave të njeriut gjatë shoqërimeve. Pavarësisht se Policia e Shtetit nuk e ka pranuar zyrtarisht tejkalimin e kompetencave, drejtues të Policisë së Tiranës u kanë kërkuar komisariateve respektimin e legjislacionit penal për të miturit, nën hijen e pretendimeve për kontrolle arbitrare të telefonave dhe dhunë gjatë procesit të shoqërimit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






