

EVROPË — Vala e protestave rinore të udhëhequra nga "Gen Z" ka përfshirë disa shtete evropiane, ku kërkesat për përmirësimin e arsimit, uljen e kostos së jetesës dhe ndalimin e korrupsionit janë shoqëruar me incidente të rënda dhune, përplasje me forcat e rendit dhe dëme materiale.
Në Francë, mbi 320 mijë demonstrues dolën në rrugët e Parisit, Marsejës, Lionit e qyteteve të tjera. Autoritetet franceze kryen mbi 770 arrestime, ndërsa Prokuroria e Parisit nisi një hetim për tentativë vrasjeje ndaj punonjësve të policisë pas sulmeve me mjete ndezëse ndaj efektivëve.
Në Gjermani, më shumë se 100 mijë persona morën pjesë në marshimet e fushatës “Gen Z regelt” në mbi 30 qytete. Në Frankfurt, persona të maskuar dëmtuan 17 dyqane dhe grabitën pesë prej tyre, ndërsa gjatë përplasjeve u plagosën mbi 100 efektivë policie.
Përplasje dhe masa policore u regjistruan po ashtu në Zvicër (Cyrih, Bazel dhe Gjenevë), ku policia përdori topa uji e plumba gome për shpërndarjen e turmës, si dhe në Portugali, ku u shpërndanë kampet e ngritura kundër reformës së qirasë në Lisbonë dhe Porto.
Në Shqipëri, protestat e të rinjve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama u përshkallëzuan në përplasje me Policinë e Shtetit, me përdorim molotovësh e gurësh. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, gjatë trazirave në vend janë plagosur 350 persona (mes të cilëve 200 efektivë policie) dhe janë arrestuar 269 të mitur.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






