

ALTEDO / BOLONJË — Një operacion i zhvilluar nga forcat e Karabinierëve në zonën e Altedos, pranë Bolonjës në Itali, ka çuar në zbulimin e një plantacioni të përmasave të mëdha për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit brenda ambienteve të një ish-kompleksi industrial.
Gjatë ndërhyrjes, autoritetet italiane sekuestruan një sasi lënde narkotike që dyshohet se i afrohet një toni, të ndarë në bimë në fazë rritjeje, proces tharjeje dhe sasi të bëra gati për paketim e shpërndarje. Në ambientet e brendshme të kompleksit ishte ngritur gjithashtu një kamp i improvizuar me çadra dhe pajisje logjistike për të mbështetur veprimtarinë e paligjshme.
Në momentin e kontrollit, forcat e rendit kapën në flagrancë 57-vjeçarin shqiptar i cili u vu menjëherë në pranga, ndërsa dy persona të tjerë arritën të largoheshin dhe janë shpallur në kërkim. Gjithashtu, gjashtë shtetas të tjerë shqiptarë, të moshave nga 51 deri në 65 vjeç, janë vënë nën hetim në gjendje të lirë për përfshirje të dyshuar në këtë rrjet kriminal.
Hetimet e policisë italiane po vijojnë për përcaktimin e saktë të peshës së lëndës narkotike, ndërsa kanë nisur procedurat ligjore për asgjësimin e drogës dhe çmontimin e pajisjeve të laboratorit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






