

Përdorimi i miellit me nivel të ulët proteinash për prodhimin e bukës, prania e mundshme e mykotoksinave kancerogjene nga ruajtja e keqe dhe përdorimi i ngjyruesve sintetikë te buka e zezë përbëjnë disa nga shqetësimet kryesore të ngritura mbi sigurinë ushqimore në Shqipëri.
Eksperti i drithërave me një përvojë 40-vjeçare, Abdyl Sinani, ka denoncuar publikisht shkeljet me cilësinë e grurit që importohet në vend. Serbia mbetet furnizuesi kryesor, duke mbuluar mbi 60% të grurit për konsum human. Megjithatë, Sinani sqaron se problemi kryesor nuk është origjina, por përzgjedhja e tregtarëve shqiptarë për të importuar grurë më të lirë me gluten të ulët — i destinuar zakonisht për biskota e ëmbëlsira — dhe përdorimi i tij për bukë përmes shtimit të aditivëve fryrës.
Një tjetër problematikë e rëndë e nërvijëzuar nga eksperti lidhet me bukën e zezë, ku në vend të miellit natyral me krunde, disa prodhues përdorin miell të bardhë të përzier me ngjyrues për t’i dhënë pamje të errët. Sinani ngriti po ashtu alarmin për mungesën e kushteve adekuate të ruajtjes së drithërave që vijnë nga Serbia, çka favorizon krijimin e mykotoksinave me efekte kancerogjene.
Për më tepër, përpunimi i pakujdesshëm i miellit ka shkaktuar shfaqjen e "sëmundjes së patates" në disa furra në Lushnjë e Berat, ku në vend të asgjësimit të brumit të prekur, përdoret aciditet artificial për manipulimin e tij. Përmes këtij denoncimi, eksperti kërkon reagim dhe kontrolle të rrepta laboratorike nga institucionet përgjegjëse të sigurisë ushqimore në vend.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






