

RROGOZHINË — Një aksident i rëndë rrugor me përfshirjen e tre automjeteve u regjistrua mbrëmjen e kësaj të diele në autostradën Rrogozhinë-Lushnjë, në afërsi të rrethrrotullimit të Grabjanit.
Si pasojë e përplasjes zinxhirë, një prej drejtuesve të mjeteve mbeti i plagosur dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit të Lushnjës për ndihmë mjekësore. Burimet paraprake konfirmojnë se i dëmtuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Dyshimet e para sugjerojnë se aksidenti nisi me përmbysjen e një automjeti pasi drejtuesi humbi kontrollin mbi timonin. Një mjet i dytë i tipit “Benz” frenoi menjëherë për të shmangur goditjen, por mjetet që vinin pas u përplasën njëri pas tjetrit.
Në vendngjarje ndërhynë shërbimet e Policisë Rrugore për rregullimin e trafikut të rënduar, si dhe ekipet zjarrfikëse për pastrimin e trupit të rrugës nga mbetjet e mjeteve. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe dinamikës së këtij aksidenti.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






