Transmetuar më 01-11-2026, 20:26

Një atmosferë festive me këngë, valle dhe tradita shqiptare ka bashkuar bashkatdhetarët në qytetin Moosburg të Bavarisë në Gjermani, ku shoqata shqiptare Abeja organizoi aktivitetin e përvitshëm Darka e Lamës.

Kjo festë tradicionale simbolizon mirënjohjen për të korrat, bashkimin familjar dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare. Për shqiptarët që jetojnë larg vendlindjes, ajo përbën një rast për t’u takuar dhe për t’ua përcjellë zakonet e të parëve brezave të rinj.

Aktiviteti mblodhi familje shqiptare, veprimtarë komunitarë dhe përfaqësuese të Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Mynih, Erinda Boçi dhe Miranda Kokona.

Në emër të konsullatës, Erinda Boçi falënderoi organizatorët dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare jashtë atdheut.

Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte programi artistik i fëmijëve që ndjekin mësimin e gjuhës shqipe. Nën përgatitjen e mësueses Buqe Arifaj, nxënësit interpretuan këngë dhe valle shqiptare.

Gjatë aktivitetit u vlerësua edhe Arif Arifaj për angazhimin e tij në mësimin e gjuhës shqipe dhe organizimin e veprimtarive kulturore për komunitetin.

Darka e Lamës në Moosburg solli sërish në vëmendje rëndësinë e shoqatave shqiptare në Gjermani, të cilat kontribuojnë në mbajtjen gjallë të identitetit dhe lidhjeve me vendlindjen.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit