Transmetuar më 01-11-2026, 20:09

Nga Kosova në skenat më prestigjioze të Europës! Tenori Rame Lahaj kishte në program një mbrëmje të veçantë muzikore në Düsseldorf, me turneun Passion & Origin. Një rrugëtim artistik që ndërthur operën, emocionet dhe lidhjen me rrënjët shqiptare

Tenori shqiptar nga Kosova, Rame Lahaj, vazhdon të përfaqësojë muzikën dhe artin shqiptar në skenat ndërkombëtare. Më 30 tetor 2026 ai kishte të planifikuar një koncert në Robert-Schumann-Saal, në kompleksin Kunstpalast të Düsseldorf-it, si pjesë e turneut Passion & Origin.

Koncerti, i parashikuar për orën 20:30, ishte organizuar me pjesëmarrjen e ansamblit ARMA dhe synonte t’i ofronte publikut një udhëtim muzikor mes repertorit operistik dhe tingujve që kanë ndikuar në rrugëtimin artistik të tenorit.

Sipas prezantimit të organizatorëve, Passion & Origin është një projekt që ndërthur ambicien artistike, përvojën personale dhe lidhjen e vazhdueshme të Lahajt me rrënjët e tij.

Pas koncertit ai u shpreh me këto fjalë: "Faleminderit nga zemra, Düsseldorf, për dashninë, mirësinë, respektin e mbështetjen!

Faleminderit të gjithë muzikantëve të mrekullueshëm që e ndanë skenën me mua dhe i dhanë shpirt kësaj mbramjeje.

Faleminderit ekipit tim të palodhshëm! Ju dua tej mase!".

Sakaq tenori ka lajmëruar koncertin e radhës teksa thotë: "Shihemi së shpejti në Vjenë me “Passion & Origin”! 8 nëntor 2026, ora 19:00, Wiener Konzerthaus · Großer Saal, Vjenë

Gjatë karrierës, ai është ngjitur në skena të rëndësishme si Royal Opera House në Londër, Opéra national de Paris, Teatro Real në Madrid, Deutsche Oper Berlin, Arena di Verona dhe festivali i Salzburgut.

Prania e tij në programin kulturor të Düsseldorf-it përbën një tjetër shembull të përfaqësimit të artistëve shqiptarë në skenën europiane. /noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit