

Dy shtetas shqiptarë, të dy 51 vjeç, janë arrestuar nga policia gjermane në Ratingen-Hösel, pasi dyshohet se tentuan të hynin me forcë në një banesë private. Operacioni për identifikimin e tyre përfshiu patrulla policore, një helikopter dhe një qen të trajnuar.
Sipas njoftimit zyrtar sotx të policisë së Mettmannit, ngjarja ndodhi të mërkurën, më 28 tetor, rreth orës 18:45, në rrugën Eggerscheidter Straße.
Një banor 72-vjeçar dëgjoi një zhurmë të fortë pranë shtëpisë së tij. Kur kontrolloi oborrin, ai vuri re dy burra që, sipas policisë, po përpiqeshin të hapnin me forcë derën e tarracës. Dy personat u larguan nga pjesa e pasme e kopshtit, ndërsa pronari njoftoi policinë.
Autoritetet nisën një operacion kërkimi në zonë, me mbështetjen e një helikopteri. Falë informacioneve të banorëve, dy të dyshuarit u lokalizuan në kopshtin e një tjetër banese, në rrugën Wiesengrund, dhe u ndaluan pa rezistencë.
Ndërkohë, një banore në Bruchhauser Straße njoftoi një tjetër tentativë vjedhjeje. Policia po heton nëse dy personat e arrestuar kanë lidhje edhe me këtë incident.
Pas veprimeve të para hetimore, njëri nga shqiptarët u lirua nga ndalimi me urdhër të prokurorisë. Tjetri u dërgua para gjyqtarit për shkak të një urdhërarresti që ekzistonte më parë ndaj tij. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






