Transmetuar më 01-11-2026, 19:43

Autoritetet gjermane kanë ngritur akuza ndaj dy të rinjve, 19 dhe 23 vjeç, të dyshuar se kishin diskutuar dhe planifikuar një krim të rëndë të lidhur me sigurimin e armëve të luftës. Mes tyre është edhe Adnan R., një 19-vjeçar nga Hagen, i cili ka shtetësi gjermane dhe është shqiptar i Kosovës, raporton noa.al.

Rasti u bë publik sot, pas një operacioni të forcave speciale në qytetet Hagen dhe Unna, në landin Nordrhein-Westfalen. Më 1 tetor, policia ndaloi fillimisht tre persona pas informacioneve të siguruara nga shërbimet e inteligjencës. Një person i katërt u identifikua gjatë hetimeve të mëvonshme.

Sipas njoftimit të përbashkët të Gjykatës së Hagenit, Prokurorisë së Përgjithshme në Düsseldorf dhe Policisë së Dortmundit, më 26 tetor u ngrit akuzë ndaj 23-vjeçarit Kai R. (në foto) nga Unna dhe 19-vjeçarit nga Hagen. Ata dyshohet se në shtator kishin rënë dakord për kryerjen e një sulmi terrorist.

Sipas burimeve të sigurisë që citon gazeta gjermane Tages Speiegel, kishte dyshime për lidhje ideologjike me grupin terrorist Shteti Islamik (IS). I riu shqiptaro- gjerman thuhet se është konvertuar në Islam. 19-vjeçari më pas u vu nën vëzhgimin e policisë gjatë hetimit.

Gazeta BILD raportoi se hetuesit po shqyrtonin biseda të dyshuara për një sulm të mundshëm dhe sigurimin e armëve automatike. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar publikisht një objektiv konkret sulmi.

Gjatë një kontrolli në banesën e 19-vjeçarit u sekuestruan pajisje elektronike, por nuk u gjetën armë. Dy persona të tjerë, shtetas sirianë të moshave 20 dhe 24 vjeç, ishin liruar nga ndalimi.

Gjykata vendosi paraburgimin e 23-vjeçarit, ndërsa për 19-vjeçarin shqiptar u zgjat me 14 ditë masa e ndalimit policor për arsye sigurie. Pranimi i aktakuzës për gjykim mbetet në kompetencën e Gjykatës së Hagenit.

Hetimet vijojnë. Asnjë nga të akuzuarit nuk është shpallur fajtor me vendim përfundimtar dhe autoritetet theksojnë prezumimin e pafajësisë. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit