Transmetuar më 01-11-2026, 19:29

Dy shtetas shqiptarë janë dënuar me nga 22 muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi policia zbuloi një plantacion të fshehtë kanabisi me vlerë të përllogaritur rreth 500 mijë paund, të ngritur në ambiente nëntokësore në Warwickshire.

Sipas mediave britanike, Pjetër Gjervataj, 33 vjeç, banues në Birmingham, dhe Eldon Sylaj, 31 vjeç, banues në Maidstone të Kentit, pranuan përfshirjen e tyre në prodhimin e kanabisit, që klasifikohet si drogë e kategorisë B sipas legjislacionit britanik.

Zbulimi u bë më 19 gusht 2026, gjatë një operacioni policor në një zonë rurale pranë fshatit Wolston. Oficerët konstatuan se një kontejner transporti, që nga jashtë dukej i zakonshëm, fshihte një hyrje drejt ambienteve nëntokësore ku kultivoheshin bimët e kanabisit.

Pamjet e kamerave trupore të policisë dokumentuan momentin e zbulimit. Për shkak të mënyrës së fshehjes së plantacionit, autoritetet britanike e krahasuan rastin me filmin kriminal The Gentlemen, të regjisorit Guy Ritchie.

Gjatë operacionit u arrestuan pesë persona, por vetëm dy shqiptarët u akuzuan në këtë çështje. Më 26 tetor, Gjykata e Warwickut i dënoi ata me nga 22 muaj burg, pasi kishin pranuar fajësinë.

Gjykata urdhëroi gjithashtu shkatërrimin e kanabisit të sekuestruar dhe vendosi që secili i dënuar të paguajë një tarifë prej 187 paundësh për viktimat. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit