

KOTORR — Katër nxënësit e mitur shqiptarë nga Durrësi, të ndaluar më 31 tetor në Kotorr të Malit të Zi, janë liruar pa asnjë dënim pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe janë nisur menjëherë drejt Shqipërisë.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi. Sipas autoriteteve konsullore, ndalimi i të miturve erdhi pas një konflikti verbal me një shtetase malazeze, i cili u nxit pasi nxënësit kishin bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare.
Ambasada shqiptare bëri të ditur se përfaqësuesit e saj kanë ofruar asistencë konsullore gjatë gjithë procedurave ligjore, duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm me autoritetet vendase, familjarët dhe mësuesit e të miturve.
Në njoftimin zyrtar nëlëshohet se gjatë procesit është garantuar respektimi i plotë i të drejtave të të miturve, të cilëve u është siguruar mbrojtje ligjore me avokat, përkthyes dhe prani të psikologut deri në përmbylljen e çështjes pa masa ndëshkuese.
“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi informon se katër nxënësit shqiptarë të mitur, të ndaluar më 31 tetor në Kotorr, janë liruar pa dënim pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe janë nisur drejt Shqipërisë.
Sipas informacionit të marrë, ndalimi pasoi një konflikt verbal me një shtetase malazeze, pasi nxënësit kishin bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare.
Që prej marrjes dijeni për ngjarjen dhe deri në përfundimin e procedurave ligjore e nisjen e nxënësve drejt Shqipërisë, përfaqësuesi i Ambasadës ka qëndruar pranë tyre, duke ofruar asistencë konsullore.
Ambasada ka mbajtur gjatë gjithë kohës komunikim të vazhdueshëm me autoritetet malazeze, familjarët dhe mësuesit.
Sipas autoriteteve malazeze, gjatë procedurave është garantuar respektimi i të drejtave të të miturve dhe u është siguruar avokat, përkthyes dhe psikolog.
Ambasada vlerëson bashkëpunimin me autoritetet malazeze dhe mbetet e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shtetasve shqiptarë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






