

KUKËS — Rënia e ndjeshme e nivelit të ujit në liqenin e Fierzës ka sjellë sërish mbi sipërfaqe rrënojat e Kukësit të Vjetër. Pavarësisht reshjeve të regjistruara ditët e fundit, situata hidrike në këtë ujëmbledhës mbetet kritike, ku niveli i ujit ka zbritur në kuotën e 260 metrave mbi nivelin e detit, ndërsa prurjet anësore kanë rënë në më pak se 45 metra kub në sekondë.
Si pasojë e kësaj rënieje drastike, hidrocentrali i Fierzës është nxjerrë përkohësisht jashtë funksionit. Kjo gjendje ka ardhur si pasojë e periudhës së zgjatur të thatësirës, mungesës së reshjeve sistematike, si dhe shfrytëzimit intensiv të rezervave ujore për prodhimin e energjisë elektrike gjatë muajve të kaluar.
Rishfaqja e rrënojave të qytetit të vjetër, ky fenomen i regjistruar për herë të dytë brenda dhjetë muajve të fundit, dëshmon shkallën e tërheqjes së ujërave në kaskadën e Drinit. Autoriteteve u mbetet të presin ecurinë e reshjeve dhe rritjen e prurjeve lumore në ditët në vijim, faktorë këta vendimtarë për rikuperimin e kuotave ujore dhe rinisjen e punës për prodhimin e energjisë në hidrocentral.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






