

Një goditje e fortë ka tronditur piramidën drejtuese të Policisë së Serbisë, ku Drejtori i Hetimeve Kriminale, Marko Kriçak, 42 vjeç, është arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së detyrimeve profesionale. Kriçak, i njohur publikisht si një nga njerëzit e afërt të presidentit Aleksandar Vuçiç, u prangos së bashku me Boško Sekulović, drejtor i Shërbimit për Luftën kundër Krimit.
Sipas Prokurorisë së Lartë Publike të Beogradit, të dy zyrtarët e lartë dyshohen se kanë cenuar rëndë të drejtat e ish-shefit të policisë së kryeqytetit serb, Veselin Milić. Hetimet lidhen me një vrasje të ndodhur në maj të këtij viti në një restorant në Beograd, ngjarje pas të cilës Milić u mbajt dy muaj në paraburgim me akuzën e mosraportimit të krimit dhe strehimit të autorit. Pas lirimit, Milić ngriti padi penale ndaj dy drejtuesve të policisë, duke i akuzuar se kishin dorëzuar në prokurori prova të falsifikuara, selektive dhe të paplota për ta inkriminuar atë.
Arrestimi i Kriçakut vjen në një moment të rënduar politik në Serbi. Ai ishte bërë më parë shënjestër e kritikave të ashpra nga lëvizja studentore, e cila e akuzonte drejtpërdrejt për brutalitet policor gjatë shtypjes së protestave masive kundër qeverisë së Vuçiçit.
Kreu i Prokurorisë së Lartë Publike të Beogradit, Nenad Stefanović, deklaroi se aksioni i policisë mbështetet tërësisht mbi prova ligjore dhe nuk ka lidhje me proceset politike apo rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ndërkohë, hetimet ndaj dy zyrtarëve po vijojnë për zbardhjen e plotë të veprimtarisë së tyre.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






