

Një operacion i përbashkët mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës ka çuar në arrestimin në Greqi të 26-vjeçarit Romarjo Tahiri, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të kryer në bashkëpunim.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, arrestimi i të riut nga Korça u realizua në kuadër të operacionit të koduar "The Wanted". Tahiri dyshohet se në vitin 2020, në qytetin e Selanikut, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, ka dhunuar dhe më pas ka goditur me mjete prerëse shtetasin Spartak Dervishi, duke i shkaktuar vdekjen.
Ngjarja e ndodhur në Greqi u hetua nga drejtësia shqiptare pas kallëzimit të bërë nga familjarët e viktimës në Korçë, çka solli koordinimin e veprimeve hetimore me autoritetet greke. Në vitin 2021, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë i kishte caktuar 26-vjeçarit masën e sigurisë "Arrest në burg" në mungesë për veprën penale "Vrasja me dashje", kryer në bashkëpunim.
Në bashkëpunim mes dy zyrave të Interpolit kanë nisur procedurat zyrtare për ekstradimin e Romarjo Tahirit drejt Shqipërisë, ku do të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






