Transmetuar më 01-11-2026, 14:40

I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, i dyshuar për vrasjen e një shtetasi shqiptar në Selanik, në vitin 2020, kapet në Greqi 26-vjeçari.

Romarjo Tahiri, është akuzuar se në bashkëpunim me dy persona të tjerë, ka vrarë me thikë shtetasin shqiptar Spartak Dervishi.

Policia e Shtetit konfirmoi pasdrekën e së dielës se u arrestua provizorisht në Greqi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Romarjo Tahiri, 26 vjeç, i lindur në Korçë.

Në vitin 2021, Gjykata e Korçës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se në vitin 2020, në Selanik, Romarjo Tahiri, atëherë vetëm 20 vjeç në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, kanë vrarë shtetasin shqiptar Spartak Dervishi, të cilin fillimisht e kanë dhunuar dhe më pas e kanë goditur me mjete prerëse.

Familjarët e viktimës kanë bërë kallëzim në Korçë për ngjarjen e ndodhur në Selanik dhe veprimet janë koordinuar me autoritetet greke.

Çfarë ndodhi

Spartak Dervishi punonte në një fast food në Selanik të Greqisë. Ai ishte përfshirë në ngjarje pasi i doli në mbrojtje një kolegu të tij, sovjetik, i quajtur Mamugka Tsiklauri.

Natën fatale dy të rinjtë mbyllën punën dhe u larguan të dy hipur në një motor dhe shkuan në një lokal.

Në lokal gjendeshin dhe disa të rinj shqiptarë, të cilët teksa flisnin shqip po ofendonin shtetasin rus.

Në këtë moment Spartak Dervishi, është afruar pranë bashkëpatriotëve të tij, ku ka filluar të bëjë një bisedë të tensionuar me ta.

Më pas dy nga personat janë larguar, ndërsa personi tjetër ka qëndruar në lokal, duke vijuar me sharje dhe ofendime.

Gjithçka ka ndodhur në orën 04:00 të mëngjesit të datës 18 maj 2020, kur kanë mbëritur në lokal dy djemtë e tjerë që ishin larguar disa minuta pas sherrit.

Ndërsa Spartak Dervishi ka filluar të debatojë me ta në gjuhën shqipe, por shumë shpejt debati është përshkallëzuar pasi djemtë nga Shqipëria, filluan të qëllonin, Dervishin me grushta, shkelma dhe thikë.

Hetimet për këtë vrasje të ndodhur mes shqiptarëve në rrugën “Kasandra”, fillimisht janë zhvilluar nga policia greke.

Kjo e fundit ka mundur të identifikojë dhe arrestojë, shqiptarin Romarjo Tahiri, person i dënuar nga drejtësia Shqiptare për “trafikim dhe shfrytëzim për prostitucion” të dy vajzave të reja.

Gjatë zhvillimit të procesit hetimor Romarjo Tahiri, i ka treguar policisë greke, se në këtë krim kanë marë pjesë dhe dy shqiptarët e tjerë nga Korça, Orgel Xhambazi dhe Medi Ganolli.

Për shkak se këta dy persona janë larguar në drejtim të Shqipërisë, në muajin qershor 2020 autoritetet greke kanë kërkuar ndihmën e palës Shqiptare, me qëllim kryerjen e verifikimeve dhe pyetjen e personave.

Pas një hetimi të zhvilluar në Shqipëri që ka zgjatur 10 muaj, në 6 prill është mundur të realizohet arrestimi i Orgel Xhambazit dhe Medi Ganollit në qytetin e Korçës.

Ata u kapën për veprën penale të “Vrasjes me dashje”, dhe hetimi ndaj tyre do ndiqet nga prokuroria e Korçës.

Aktet hetimore për këtë vrasje janë transferuar nga Greqia në Shqipëri dhe tre pjesëmarësit në ekzekutimin e Spartak Dervishit, do gjykohen në Shqipëri.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 26-vjeçarit në Shqipëri.

Të dyshuar

1. Orgel Xhambazi, 29 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, i arrestuar dje në Korçë

2. Medi Ganolli, 37 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, i arrestuar dje në Korçë

3. Romarjo Tahiri, 26 vjeç, i arrestuar në Greqi më datë 21.07.2020

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit