Transmetuar më 01-11-2026, 14:05

Një aksident rrugor që fillimisht u raportua si dalje mjeti nga rruga në një zonë të thyer malore ka marrë përmasa të reja hetimore, pasi policia ka zbuluar prova të një konflikti me armë zjarri përpara përplasjes.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Farrët të njësisë administrative Stravaj rrethi Elbasan, ku një automjet i llojit Mercedes-Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një greminë me thellësi rreth 150 metra.

Nga verifikimet e kryera në vendngjarje, drejtues i mjetit rezulton shtetasi Renis K, 23 vjeç.

I riu është nxjerrë nga gremina dhe është transportuar drejt Spitalit të Librazhdit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë këqyrjes së imtësishme të vendit të ngjarjes, grupi hetimor nuk ka konstatuar persona të tjerë brenda apo pranë automjetit.

Megjithatë, në afërsi të mjetit të dëmtuar është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një mjet që dukej si armë zjarri e llojit pistoletë.

Policia e Elbasanit e pyetur nga noa.al tha se sendi i gjetur nuk ishte pistoletë e vërtetë, por imitim.

Burime që citon Vizion Plus bëjnë me dije se personi është përfshirë në konflikt dhe është dëmtuar para se mjeti të dilte nga rruga.

Policia e Elbasanit e pyetur nga noa.al nuk e konfirmoi këtë rrethanë të dyshuar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit