Transmetuar më 01-11-2026, 11:04

TIRANË, 1 Nëntor 2026 — Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka grumbulluar një sasi të madhe provash dhe me qindra komunikime telefonike për të vërtetuar pronësinë faktike të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku mbi një vilë luksoze dykatëshe në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi.

Sipas dokumenteve hetimore të SPAK-ut, vila me sipërfaqe 103 m² dhe me një parcelë toke prej rreth 300 m², e cila sot vlerësohet rreth 720 mijë euro, është përdorur nga Balluku nga qershori i vitit 2019 deri në fillim të vitit 2026, përpara se të sekuestrohej me vendim gjykate. De jure, pasuria rezulton e regjistruar në emër të ish-futbollistit të njohur Igli Tare, por provat tregojnë se ajo i përket ish-zyrtares së lartë.

Përgjimet, qelizat telefonike dhe “Vila e Shefes” Dosja hetimore zbulon se shoferi personal i Ballukut, punonjësit e pastrimit, si dhe administratorët e kompleksit i referoheshin godinës ‘F6’ si “vila e shefes”. Përveç qelizave telefonike që konfirmojnë praninë e vazhdueshme të Ballukut në këtë objekt ndër vite, në brendësi të godinës janë gjetur edhe prova materiale e foto që vërtetojnë se arredimi dhe investimet janë kryer sipas preferencave të saj personale.

Mesazhi komprometues: Kutia e kuqe me tufa eurosh Mes provave më kryesore të Prokurorisë së Posaçme është një fotografi e gjetur në telefonin e Lavdrim Smones, bashkëshortit të sanitares që kujdesej për banesën e Ballukut në Tiranë.

Në një mesazh të datës 17 korrik 2021, shfaqet një kuti e kuqe e mbushur me tufa kartëmonedhash 50-euroshe të lidhura me llastik. SPAK sqaron në dokument se kjo foto është realizuar në ambientet e brendshme të vilës ‘F6’ në Dhërmi, ku familjarët e sanitares shkonin periodikisht për të kryer pastrimet me udhëzim dhe me mjetet e siguruara nga shoferi personal i ish-zëvendëskryeministres.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit