

TIRANË, 31 Tetor 2026 — Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se qeveria po shqyrton vendosjen e një takse të lartë mbi pasuritë e paluajtshme për pronarët që blejnë apartamente dhe i mbajnë ato bosh, me qëllim futjen e tyre në tregun e qirave dhe frenimin e shtrenjtimit të kostove të strehimit.
Sipas kreut të ekzekutivit, rritja ekonomike dhe rritja e kostos së jetesës kërkojnë ndërhyrje fiskale për të barazpeshuar tregun e pasurive të paluajtshme, duke marrë si model praktikat e zbatuara në disa vende europiane:
“Një super taksë prone për ata që blejnë dhe mbajnë apartamente bosh, duke refuzuar t’i japin me qira. Është e drejta e tyre, por duhet të paguajnë njësoj siç po bëjnë në disa vende të tjera të Europës që po përballen me koston e rritur të apartamenteve.”
Deklarata e kryeministrit mbështetet nga gjetjet e fundit të shoqatës së ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme (NAREA) dhe të dhënave të siguruara nga ekofin.al, të cilat tregojnë se norma kombëtare e vakancës së banesave në Shqipëri kalon masën 25%, duke u trefishuar krahasuar me vitin 2001.
Pasqyra e konsumit të energjisë dhe statusi i banesave
Të dhënat zyrtare nga kontratat familjare të energjisë elektrike (OSHEE/FSHU) konfirmojnë shkallën e lartë të mospërdorimit të rregullt të stokut të banesave në vend:
Gjithsej kontrata aktive familjare: 1,157,926 në vitin 2024; 1,175,894 në vitin 2025 (+1.55%)
Peshë me konsum zero çdo muaj: 20.6% në vitin 2024; 20.2% në vitin 2025 (rreth 1 në 5 kontrata)
Kontrata të pezulluara: 87,181 kontrata në vitin 2025
Së bashku me kontratat e pezulluara, rreth 26% e të gjithë bazës së klientëve familjarë lidhet me një formë mospërdorimi. Ekspertët sqarojnë se këto shifra përfshijnë pronat e dyta, banesat sezonale apo kontratat e pezulluara për ndërtesa që nuk ekzistojnë më, por përbëjnë gjithsesi një tregues të fortë të mospërdorimit.
Bregdeti udhëheq normën e vakancës
Fenomeni i shtëpive të papërdorura shfaqet veçanërisht i lartë në zonat bregdetare të vendit. Qyteti i Vlorës regjistron normën më të lartë të vakancës me 52%, i ndjekur nga Durrësi me 44%.
Raporti e lidh këtë shifër me përqendrimin e kapitalit te blerjet për investim, përdorim sezonal, qira turistike apo ruajtje vlere, duke krijuar paradoksin ku rajonet me ndërtimet më të shumta nuk përdoren gjatë gjithë vitit si banesa kryesore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






