Transmetuar më 31-10-2026, 22:16

ITALI, 31 Tetor 2026 — Një ngjarje e pazakontë dhe me prapavijë tragjike po hetohet nga drejtësia italiane, ku 76-vjeçari Elico Fantuzzi akuzohet për vrasjen e kushëririt të tij 74-vjeçar, Alfredo, përmes një ushqimi të ndaluar për gjendjen e tij shëndetësore.

Përpara gjyqtarit të hetimeve paraprake (GIP), i pandehuri zgjodhi të mos u përgjigjej pyetjeve zyrtare, por dha deklarime spontane. Alfredo, i cili vuante nga skizofrenia dhe disfagia (vështirësi e rëndë në gëlltitje), jetonte në një shtëpi kujdesi për të moshuarit. Për shkak të diagnozës, ai ndiqte një dietë strikte ku lejoheshin vetëm ushqimet lëngshme. Hetuesit pretendojnë se Elico, i cili ishte kujdestari i tij ligjor që prej vitit 2009, i kishte lënë pranë një ëmbëlsirë me krem (bombolone), çka i shkaktoi vdekjen nga bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes.

Gjatë seancës, 76-vjeçari pretendoi se ngjarja kishte ndodhur nga pakujdesia dhe mohoi kategorikisht qëllimin kriminal:

“E doja shumë Alfredon, për mua ishte si një vëlla. I lashë ëmbëlsirën pranë dhe u largova për të biseduar me infermierët e azilit.”

Pavarësisht kërkesës së avokatit mbrojtës për lirimin e klientit apo vendosjen e detyrimit të paraqitjes, gjykata vendosi të konfirmojë masën e arrestit shtëpiak. Fantuzzi do të lejohet të komunikojë vetëm me bashkëshorten, avokatin dhe mjekët e tij.

Motivi i dyshuar dhe dëshmitë mbrojtëse

Sipas grupit hetimor, pas ngjarjes mund të fshihet një motiv financiar, pasi i ndjeri Alfredo zotëronte një pasuri të luajtshme prej mbi 300 mijë eurosh, ku Elico shfaqet si bashkëtrashëgimtar. Prokuroria pretendon gjithashtu se i pandehuri i kishte çuar edhe më parë ushqime të ngurta të moshuarit, duke u qortuar nga personeli, dhe se këtë herë mund të ketë shpërqendruar qëllimisht punonjësët e azilit.

Nga ana tjetër, pjesëtarë të familjes kanë dalë publikisht në mbrojtje të 76-vjeçarit. Për gazetën Gazzetta di Reggio, një prej mbesave të tij deklaroi në kushte anonimiteti se Fantuzzi kishte një jetë që kujdesej për të afërmit e moshuar dhe se gjesti i tij ishte nisur nga mirësia. Ajo ngriti dyshime se ngjarja mund të jetë pasojë e një gabimi nga ana e vetë personelit të azilit, i cili po tenton t’i shmanget përgjegjësisë. Hetimet e prokurorisë vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave ligjore dhe mjekësoro-ligjore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit