

TIRANË, 31 Tetor 2026 — Sindikata e Gardës së Republikës i është drejtuar publikisht qeverisë dhe Ministrisë së Financave me një kërkesë urgjente për rishikimin e pagave të efektivëve të saj, menjëherë pas vendimit të ekzekutivit për rritjen e trajtimit financiar për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Përmes një deklarate zyrtare, sindikata argumenton se trupa e Gardës po lihet në harresë financiare që prej vitit 2001. Ajo thekson se diferenca meritore prej 15 mijë lekësh që historikisht përfitonin efektivët e Gardës në raport me institucionet e tjera të sigurisë sot është shkrirë plotësisht, duke cenuar dinjitetin ekonomik të punonjësve.
Sindikata u bën thirrje strukturave përgjegjëse të financës që të dërgojnë menjëherë pranë Ministrisë së Financave programin e detajuar për rritjen e pagave, duke nënvizuar se natyra e punës së tyre mbart një shkallë të lartë rrezikshmërie dhe përgjegjësie:
“Profesioni ynë është gjithmonë me vizë të kuqe. Presioni, gatishmëria dhe vështirësia në shërbimin tonë janë maksimale në çdo sekondë. Zero tolerancë për gabime: në profesionin tonë nuk ka kurrë ‘herë të parë’ kur bëhet fjalë për cenimin apo rrezikimin e Personaliteteve të Larta Shtetërore, vendas apo të huaj. Të mbrosh shtetin me jetë kërkon që edhe shteti të të vlerësojë me dinjitet.”
Në përfundim të reagimit, Sindikata e Gardës së Republikës kërkon reflektim të menjëhershëm nga autoritetet shtetërore, me qëllim që efektivët e këtij institucioni të përfshihen në skemën e re të rritjes së pagave në përputhje me rëndësinë dhe specifikën e shërbimit të tyre.
Reagimi
Kujtesë
Struktura e Gardës së Republikës nuk mund të lihet në "harresë" financiare!
Në vijim të postimit tonë zyrtar të mëparshme; “Thirrjen për dialog në rritjen e pagës”, i rikujtojmë Sektorit të Financës dhe strukturave përgjegjëse të paraqesin urgjentisht pranë “Ministrisë së Financës” programin e rritjes së pagave për punonjësit e Gardës të detajuara.
Nuk mund të pritet më! Që nga viti 2001, Institucioni i Gardës së Republikës nuk vlerësohet siç duhet. Ajo që historikisht ka qenë një diferencë meritore prej +15,000 lekësh ndaj institucioneve tjera të sigurisë sot është shkrirë, duke cenuar dinjitetin ekonomik të punonjësve tanë.
Pse kjo rritje është e padiskutueshme?
–Profesioni ynë është gjithmonë me "vizë të kuqe": Presioni, gatishmëria dhe vështirësia në shërbimin tonë janë maksimale në çdo sekondë.
Zero tolerancë për gabime: Në profesionin tonë nuk duhet dhe nuk ka kurrë "herë të parë" kur bëhet fjalë për cenimin apo rrezikimin e Personaliteteve të Lara Shtetërore, vendas apo të huaj. Siguria e tyre është imazhi i vetë shtetit shqiptar. Të mbrosh shtetin me jetë kërkon që edhe shteti të të vlerësojë me dinjitet. Presim reflektim dhe hapa konkretë nga strukturat përgjegjëse.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






