

TIRANË, 31 Tetor 2026 — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje publike të gjithë qytetarëve dhe forcave politike në vend që të bashkohen pa rezerva me revoltën e studentëve, duke rikonfirmuar mbështetjen e opozitës ndaj lëvizjes rinore.
Gjatë fjalës së tij në orët e mbrëmjes, Berisha theksoi se qëllimi kryesor dhe përfundimtar i këtij tubimi kombëtar duhet të jetë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe garantimi i votës së lirë për shqiptarët. Ai hodhi poshtë çdo mundësi për negociata apo reforma me kabinetin aktual, duke deklaruar se studentët dhe gjimnazistët i kanë dhënë përgjigjen ekzekutivit.
Lideri i opozitës pretendon se përpjekjet e qeverisë për të përçarë radhët e protestuesve kanë dështuar:
“Ftoj çdo qytetar të këtij vendi dhe të gjitha forcat politike të bashkohen në mbështetje të revoltës studentore, me qëllimin e largimit të padrinos dhe rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve. Sot dështoi përpjekja e Edi Ramës për të përçarë protestën në mënyrën më të neveritshme.”
Më tej, Berisha kritikoi zërat që kërkojnë që protesta të shërbejë vetëm si një mjet për të vetëkorrigjuar apo përmirësuar qeverisjen e Ramës, duke i quajtur ato qëndrime si përpjekje për të zbutur revoltën popullore. Ai nënvizoi se rëndësi kapitale në këtë moment ka bashkimi i çdo faktori opozitar dhe qytetar, pavarësisht dallimeve politike, për të lejuar që shqiptarët të zgjedhin të lirë me votë drejtuesit e tyre të ardhshëm.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






