

Një aksident tragjik është regjistruar në autostradën A1 në Itali, i cili i ka marrë jetën një 20-vjeçari, Thomas Qirjaj, me origjinë shqiptare, banues në Caorso, në provincën e Piacenzës.
Sipas mediave vendase, ngjarja ndodhi në orët e para të së premtes, në zonën e Melegnanos, në drejtim të San Giuliano Milanese. I riu, u përplas nga një automjet fuoristradë pasi kishte zbritur nga makina me të cilën po udhëtonte.
Sipas mediave italiane, Thomasi ndodhej në një automjet Volvo me targa zvicerane, së bashku me katër miq. Pasi kaluan barrierën e autostradës në Melegnano, makina humbi kontrollin dhe u përplas me ndarësen e korsive. Ende nuk është përcaktuar nëse aksidenti i parë u shkaktua nga një defekt teknik apo nga rrethana të tjera.
Pas përplasjes, 20-vjeçari zbriti nga makina për të vendosur trekëndëshin e sinjalizimit në rrugë. Në atë moment, ai u përplas nga një fuoristradë, e drejtuar nga një 25-vjeçar nga Modena.
Sipas raportimeve, drejtuesi i fuoristradës nuk e kishte vënë re praninë e të riut në rrugë deri në momentin e fundit.
Thomasi u transportua me urgjencë në spitalin Predabissi, por ndërroi jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar. Katër miqtë që udhëtonin me të nuk pësuan lëndime të rënda.
Autoritetet italiane po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






