Transmetuar më 31-10-2026, 18:57

MILANO / ITALI, 31 Tetor 2026 — Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku 20-vjeçari Thomas Qirjaj ka humbur jetën tragjikisht në autostradë gjatë orëve të para të mëngjesit, pas një përplasjeje me një fuoristradë.

Sipas të dhënave të publikuara nga mediat italiane, i riu po udhëtonte drejt Milanos së bashku me katër miq të tij me një automjet tip “Volvo”. Menjëherë pas kalimit të pikës së pagesës së autostradës, drejtuesi i mjetit humbi kontrollin, duke u përplasur me barrierat mbrojtëse ndarëse të rrugës. Katër pasagjerët e tjerë që ndodheshin në makinë fatmirësisht nuk pësuan dëmtime serioze.

Paskëtaj, Thomas Qirjaj doli nga makina e dëmtuar për të sinjalizuar rrezikun dhe për të paralajmëruar drejtuesit e tjerë të mjeteve që qarkullonin në autostradë. Megjithatë, gjatë këtij akti, ai u godit me shpejtësi nga një fuoristradë që drejtohej nga një 25-vjeçar, i cili dyshohet se nuk arriti ta dallonte me kohë të ziun në rrugë. 20-vjeçari u transportua me urgjencë drejt spitalit "Predabissi", por për shkak të plagëve të rënda mjekët nuk mundën t’i shpëtonin jetën.

Thomas Qirjaj kishte lindur në Piacenza dhe ishte djalë i vetëm i një familjeje me origjinë shqiptare, e cila jetonte prej vitesh në zonën e Caorso-s. Ndarja e tij nga jeta shkaktoi reagime të shumta; kryetarja e bashkisë vendase, Roberta Battaglia, shprehu ngushëllimet për familjen duke e vlerësuar 20-vjeçarin si një të ri mjaft të integruar në komunitet.

Autoritetet italiane kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit. Hetimet po ndiqen nga Policia Rrugore e Guardamiglios në bashkëpunim me Prokurorinë e Lodit, ndërsa drejtuesit të fuoristradës pritet t’i nënshtrohet edhe testeve përkatëse toksikologjike.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit