

TIRANË, 31 tetor 2026 – Policia ka shpërndarë protestuesit që ndodheshin para Kryeministrisë, duke marrë nën kontroll bulevardin pas një ndërhyrjeje me forca të shumta.
Efektivët kanë avancuar drejt turmës, duke bërë të mundur boshatisjen e zonës përreth godinës qeveritare. Ndërhyrja policore erdhi pas incidentit me dronin e Policisë së Shtetit, i cili u rrëzua mes protestuesve.
Sipas raportimeve, momenti kur protestuesit iu afruan dronit të rrëzuar për ta marrë atë shërbeu si pikënisje për ndërhyrjen e forcave të rendit dhe shpërndarjen e turmës.
Pas largimit të protestuesve nga bulevardi, efektivët kanë vijuar veprimet edhe në lagje të ndryshme të Tiranës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar për hedhjen e molotovëve gjatë protestës.
Ndërkohë, zhvillimet e kësaj të shtune shënojnë një tjetër përshkallëzim të protestës 19-ditore, e cila u shoqërua me hedhje molotovësh, gurësh dhe llastiqesh, si dhe me përdorimin e gazit lotsjellës dhe autobotëve ujëhedhës nga Policia.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






