

TIRANË, 31 tetor 2026 – Situata gjatë protestës para Kryeministrisë ka marrë përmasa të reja tensioni, pasi një dron i Policisë së Shtetit është rrëzuar në mes të turmës së protestuesve.
Pas incidentit, efektivët kanë ndërhyrë për të shpërndarë të pranishmit, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me piper ndaj protestuesve të mbledhur përpara godinës qeveritare.
Gjatë protestës së kësaj të shtune, Policia ka vënë në përdorim edhe tre automjete ujëhedhëse, dy prej të cilave janë mjete të reja, në përpjekje për të mbajtur nën kontroll situatën.
Tensionet kishin nisur më herët pranë Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit hodhën bomba molotov në drejtim të efektivëve, ndërsa Policia iu përgjigj me ujë me presion.
Më pas, turma u zhvendos drejt Kryeministrisë, ku u regjistruan incidente të tjera, përfshirë hedhjen e molotovëve në drejtim të godinës qeveritare.
Për të penguar afrimin e protestuesve, forcat e rendit kanë vendosur një kordon sigurie përreth institucionit, ndërsa ndërhyrja me gaz lotsjellës dhe ujë me piper shënon një tjetër përshkallëzim të protestës së ditës së sotme.
Protesta, e cila ka hyrë në ditën e 19-të, është shoqëruar kështu me incidente të njëpasnjëshme, nga përplasjet pranë Ministrisë së Arsimit deri te konfrontimet me Policinë përpara Kryeministrisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






