

TIRANË, 31 TETOR 2026 – Protesta e zhvilluar këtë të shtunë para Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me një sërë incidentesh dhe përplasjesh, duke kaluar nga tensionet mes vetë protestuesve në konfrontime të drejtpërdrejta me forcat e Policisë.
Fillimisht, situata u tensionua pas përplasjeve mes studentëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike, të cilët tentuan t’i bashkoheshin tubimit. Studentët kundërshtuan përfshirjen e përfaqësuesve politikë, duke kërkuar që protesta të ruante karakterin e saj të pavarur.
Më pas, tensionet u zhvendosën në rrugët pranë Ministrisë së Arsimit, ku disa protestues ndezën flakadanë dhe u vunë flakën koshave të mbeturinave, duke krijuar vatra zjarri dhe tym në zonë.
Situata u përshkallëzua më tej kur protestuesit nisën të hedhin gurë dhe sende të forta në drejtim të policisë. Sipas raportimeve, ndaj efektivëve u përdorën edhe llastiqe, ndërsa uniformat blu u bënë thirrje pjesëmarrësve të ndalonin aktet e dhunës.
Përballë sulmeve, Policia ndërhyri me autobotët ujëhedhës, duke përdorur ujë me presion për të shpërndarë grupet e protestuesve dhe për të vënë nën kontroll situatën. Pranë ministrisë ishin pozicionuar disa mjete të posaçme dhe forca të shumta policore.
Gjatë zhvillimeve, protestuesit vijuan përplasjet, ndërsa automjeti ujëhedhës përparoi drejt tyre për të larguar turmën nga zona e konfrontimit.
Protesta e kësaj të shtune vjen në ditën e 19-të të mobilizimit studentor, ndërsa tubimit iu bashkuan edhe mbështetës të opozitës.





Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






