

31 TETOR 2026 – Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me përpjekjet për të lidhur partinë që drejton me protestat e zhvilluara në Shqipëri, duke shprehur habinë për këto pretendime.
Gjatë mbledhjes së 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti theksoi se partia tashmë është një forcë qeverisëse dhe jo më një lëvizje protestuese, duke nënvizuar se nuk pranon të përfshihet në instrumentalizime politike.
Ai u ndal edhe te zhvillimet politike në Shqipëri, duke deklaruar se ato ndiqen me vëmendje dhe përgjegjësi, ndërsa përparimin demokratik të vendit e cilësoi si një përgjegjësi historike kombëtare.
“Shqipërinë e duam gjithmonë dhe pavarësisht rrethanave. Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë kombëtare. Prandaj, zhvillimet atje i përcjellim me shqetësim, kujdes, përgjegjësi dhe dashuri”, u shpreh Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes sqaroi se deri më tani nuk kanë pasur mundësi të diskutojnë gjerësisht për këto zhvillime, për shkak të angazhimeve politike në Kosovë, përfshirë fushatën zgjedhore dhe procesin e zgjedhjes së presidentes.
Duke iu referuar pretendimeve për përfshirjen e Vetëvendosjes në protestat në Shqipëri, Kurti tha se i ka parë me habi këto përpjekje dhe kujtoi se partia e tij, edhe në kohën kur ishte në opozitë, i ka udhëhequr vetë protestat, pa vepruar në mënyrë anonime.
“Nuk e kemi vlerësuar kurrë si të denjë taktikën e ‘hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës’ dhe i kemi ndenjur larg instrumentalizimeve, as nuk kemi pranuar të na instrumentalizojë kush, as nuk kemi instrumentalizuar të tjerët”, deklaroi Kurti.
Në këtë mënyrë, kryeministri i Kosovës hodhi poshtë lidhjen e Lëvizjes Vetëvendosje me organizimin e protestave në Shqipëri.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






