Transmetuar më 31-10-2026, 10:58

TIRANË — Qytetarët që japin apartamente, vila apo dhoma me qira afatshkurtër përmes platformave si Airbnb apo Booking do të përballen me detyrime të reja ligjore dhe sanksione financiare, sipas një projektligji të ri për turizmin të hedhur për konsultim publik nga qeveria.

Nisma parashikon që çdo njësi akomoduese për qëndrime afatshkurtra të regjistrohet detyrimisht nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” përpara se të publikohet online, duke u pajisur me një kod unik regjistrimi që duhet të shfaqet në çdo njoftim apo reklamë elektronike.

Përveç këtij detyrimi, pronarët do të duhet të kryejnë regjistrimin elektronik të klientëve dhe të raportojnë çdo muaj të dhënat statistikore, duke përfshirë numrin e vizitorëve, netët e qëndrimit, shtetësinë dhe moshën e tyre.

Projektligji përcakton sanksione të rrepta për shkelësit, ku gjobat për ushtrim aktiviteti pa regjistrim dhe pa certifikatë kategorizimi variojnë nga 20 deri në 50 mijë lekë për njësitë me 1 deri në 5 dhoma, dhe arrijnë deri në 100 mijë lekë për ato me 6 deri në 15 dhoma. Gjobë deri në 100 mijë lekë do të aplikohet edhe për mosdeklarimin mujor të të dhënave statistikore të klientëve, ndërsa në rast përsëritjeje brenda një viti, gjobat dyfishohen.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit