Transmetuar më 31-10-2026, 09:47

LEZHË — Hetimet e Policisë dhe Prokurorisë së Lezhës kanë nxjerrë në dritë detaje të reja lidhur me planin e dështuar të atentatit ndaj një banori të zonës së Shënkollit, ngjarje për të cilën u ndaluan tre persona me rrezikshmëri të lartë: Vinçesk Piroli, Kristian Ymeri dhe Elden Tarja.

Sipas të dhënave hetimore, ekzekutimi i shënjestrës dyshohet se ishte porositur kundrejt pagesës, ku njëri prej të ndaluarve do të përfitonte një shpërblim prej 10 mijë eurosh vetëm për të ndihmuar dy ekzekutorët e maskuar gjatë largimit nga vendi i ngjarjes.

Planet e grupit u deshifruan pasi shërbimet e policisë identifikuan lëvizjet e dyshimta të një motomjeti tip “karkalec” me dy persona të maskuar në rrugën e vjetër Lezhë–Shkodër. Ndërhyrja e menjëhershme çoi në ndalimin e një automjeti tip “Volkswagen Polo” të marrë me qira në Kamëz, brenda të cilit udhëtonin të tre të dyshuarit, dy prej të cilëve me rroba të lagura nga udhëtimi me motor.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një banesë në Barbullush, hetuesit sekuestruan motomjetin e përdorur në operacion, i cili rezultoi i vjedhur në Suedi në qershor të vitit 2025, si dhe tre pistoleta me municion luftarak. Organet e drejtësisë kanë autorizuar këqyrjen e pesë telefonave celularë të të arrestuarve për të rikuperuar komunikimet e fshira, ndërsa po verifikohet lidhja e tyre e mundshme me ngjarje të tjera kriminale të mbetura pa autor.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit