

TEHERAN / BERLIN, 31 Tetor 2026 — Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka reaguar me tone të ashpra dhe kërcënuese ndaj kancelarit gjerman Friedrich Merz, pas deklaratave të këtij të fundit se konflikti me Iranin i ka kushtuar ekonomisë evropiane më shumë se 100 miliardë euro për shkak të rritjes galopante të çmimeve të energjisë.
Përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë në platformën X, kryediplomati iranian akuzoi kancelarin Merz për hipokrizi politike, duke i kujtuar se kishte mbështetur hapur sulmet ushtarake amerikano-izraelite ndaj Iranit në qershor të vitit 2025, kur kishte deklaruar se Izraeli po bënte “punën e ndyrë për të gjithë ne”, ndërsa sot ankohet për faturën ekonomike që po paguan Evropa.
Në reagimin e tij, Araghchi lëshoi një paralajmërim të fortë për çdo përpjekje të re ushtarake kundër Teheranit:
“100 miliardë euro nuk janë asgjë në krahasim me goditjen shkatërruese që Forcat e Armatosura të Fuqishme të Iranit do t’u japin atyre që guxojnë të dëmtojnë popullin tonë. Vijat e kuqe janë një gjë e së kaluarës.”
Reagimi i ashpër i Teheranit erdhi menjëherë pas deklaratave të bëra nga Friedrich Merz gjatë një vizite zyrtare në Korenë e Jugut. Kancelari gjerman nërmori një bilanc të pasojave të konfliktit, duke bërë me dije se rritja e çmimeve të energjisë u ka kushtuar bizneseve dhe familjeve evropiane mbi 100 miliardë euro gjatë tetë muajve të fundit. Merz theksoi se Evropa ka një interes të drejtpërdrejtë në përfundimin e luftës, duke nëvizuar se kriza nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake, por përmes rrugëve diplomatike dhe negociatave ku Gjermania po angazhohet përmes disa kanaleve të komunikimit.
Ndaj deklaratave të kancelarit gjerman reagoi edhe Mohsen Rezaei, kreu i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit. Përmes një tjetër mesazhi në rrjetet sociale, Rezaei kritikoi ashpër vendet evropiane, duke u shprehur se kur duartrokitnin krimet e luftës duhet ta kishin parashikuar se pasojat ekonomike do t’i goditnin edhe ato vetë. Retorika e përshkallëzuar nga udhëheqësia iraniane vjen në një moment mjaft kritik, ku mundësia e goditjeve të reja ushtarake amerikane dhe kriza globale e energjisë vijojnë të mbajnë në tension të lartë rajonin dhe tregjet ndërkombëtare.
Germany's Chancellor Merz on Iran War:
We now have costs exceeding €100 billion for Europe alone over the last eight months, solely because of the increase in energy prices caused by this conflict.
More than €100 billion extra has been paid by businesses and consumers in… pic.twitter.com/gdQ1xbUES6
— Clash Report (@clashreport) October 30, 2026
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






