

TIRANË, 30 Tetor 2026 — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar mundësinë e një takimi me ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, si dhe marrëdhëniet e tij me diplomacinë amerikane.
I ftuar në emisionin “Çdo Kënd” në A2 CNN, i pyetur se kur parashikon të zhvillojë një takim me kryediplomatin e ri amerikan, Berisha u përgjigj shkurt: “Duhet të pyesni ambasadorin amerikan, jo mua”.
Gjatë bisedës, kreu i opozitës u ndal edhe te çështja e maseve shtetërore amerikane ndaj tij, verifikimet e pasurisë dhe hetimet ndaj rrethit të tij familjar:
"Duhet të pyesni ambasadorin amerikan, jo mua. Unë nuk kam patur asnjë sanksion tjetër përveç vizës. Ka ligje të tjera që parashikojnë gjëra të tjera. Në atë kohë, u dërgua në Thesar kërkesa, pa asnjë bazë, për verifikim pasurie. Thesari tha që nuk ka asnjë motiv për sanksione ndaj Sali Berishës. Mua më bënë nder pasi u bë një vetting dhe unë jam i vetmi politikan në Europë me dy vetting. Vetting të plotë deri te nipërit e mi para lindjes. Zero u gjet. U gjet se dhëndrri im dhe vajza ime kanë sponsorizuar 3 familje me fëmijë me autizëm në qendrën ku bashkëshortja ime punon prej 20 vitesh pa asnjë lloj shpërblimi. Kanë arritur deri aty, sikur të ishin nazistë, që të publikojnë emrat e fëmijëve autikë, duke traumatizuar familjet. Kështu që, unë u them studentëve që të mos presin kurrë zgjidhje nga individë të korruptuar."
Berisha këmbënguli se verifikimet e kryera ndaj pasurisë së tij dhe familjarëve nuk kanë konstatuar asnjë shkelje apo parregullsi ligjore, duke i cilësuar pretendimet ndaj tij si të pabazuara.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






