Transmetuar më 30-10-2026, 22:19

TIRANË, 30 Tetor 2026 — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se në rast të një fitoreje të opozitës në zgjedhjet e ardhshme, ai nuk do të marrë automatikisht postin e kryeministrit. I ftuar në emisionin “Çdo Kënd” me gazetaren Merita Haklaj në A2 CNN, Berisha bëri me dije se emri i shefit të ardhshëm të ekzekutivit do t’i nënshtrohet një votimi të posaçëm popullor përmes referendumit.

Gjatë intervistës, kreu i opozitës shpjegoi mekanizmin e propozuar prej tij, besimin te zmbrapsja e mazhorancës pa praninë e kryeministrit aktual, si dhe domosdoshmërinë e kufizimit të mandateve qeverisëse:

“Një gjë kam deklaruar se unë kryeministër nuk bëhem pse fitoj zgjedhjet. Jo. Bëhem kryeministër me referendum. Po fitova zgjedhjet do votojnë edhe njëherë shqiptarët për kryeministrin. Kushtetuta nuk e pengon se ti u jep mundësi me 3-4 kandidatura me referendum popullor. Absolutisht asnjë ambicie, por respekt. Se nëse ti udhëheq fushatën dhe fiton të gjitha ato që u ke thënë qytetarëve ata kanë të drejtë. Atëherë del problemi që ata duhet të vendosin veças për kandidaturat e kryeministrit.”

Po ashtu, Berisha u shpreh i bindur për një fitore të menjëhershme të opozitës në kushtet e një gare pa praninë e kreut të qeverisë:

“Në kushte të lira, sot opozita fiton zgjedhjet nëse zgjedhjet bëhen brenda një muaji pa Edi Ramën.”

Në përmbyllje të fjalës së tij, kreu i PD-së rikonfirmoi qëndrimin e tij për kufizimin e mandatit të kryeministrit në vetëm dy periudha qeverisëse. Ai argumentoi se ndërsa në periudhën 1990–2013 në Shqipëri u realizuan katër rrotacione politike, që nga viti 2013 procesi i rrotacionit është bllokuar si pasojë e ndikimit të krimit të organizuar dhe pushtetit të Edi Ramës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit