

TIRANË, 30 Tetor 2026 — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sqaruar pozicionin e opozitës lidhur me valën e protestave studentore dhe qytetare që po zhvillohen në vend. I ftuar në emisionin "Çdo Kënd" me gazetaren Merita Haklaj në A2 CNN, Berisha deklaroi se Partia Demokratike i mbështet këto reagime që nga dita e tyre e parë, por mohoi se partia e tij është organizatorja zyrtare e tyre.
Në fjalën e tij, kreu i opozitës u ndal te origjina e lëvizjes studentore, pjesëmarrja e anëtarësisë demokratike pa simbole partiake dhe reagimi i ekzekutivit:
“Partia Demokratike është në protestë që në datën 1 qershor, por dua të sqaroj një gjë. Vera që kaloi u karakterizua nga protesta më e madhe qytetare në historinë e vendit. Në këto rrethana, partia e protestës, nëna e protestës në Shqipëri, u përshtat dhe respektoi karakterin qytetar. Morën pjesë me qindra mijëra anëtarë të PD-së çdo natë, pa simbolet e saj.
Vendosi të respektonte frymën dhe karakterin qytetar. Sa i përket protestës së studentëve, po përpiqen shumë për autorësi, por e vërteta është se protesta u thirr nga Sindikata e Universiteteve, më 13 tetor, te Ministria e Arsimit. Analizat e rreme janë të neveritshme. Thirrjes për protestë iu përgjigj Forumi Rinor i Partisë Demokratike, dega e universiteteve. Kështu që, në datën 13 në protestë ishin me qindra anëtarë të strukturave të PD-së, por edhe grupe pa lidhje me Forumin.
Edi Rama u hodh kafshërisht mbi ta dhe mendoi se duke i shtypur egërsisht ditën e parë, do të shuhej zëri i tyre. Përkundrazi, ata thirrën sërish protestë. Ne jemi në mbështetje të revoltës studentore dhe në mbrojtje të tyre”
Berisha saktësoi se strukturat rinore të PD-së në universitete dhe gjimnaze i janë përgjigjur thirrjes fillestare të Sindikatës së Universiteteve dhe se i gjithë spektri i partive aleate opozitare është rreshtuar në mbështetje të kësaj revolte.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






