

Christa Pike ka bërë deklaratën e saj të parë publike, një muaj pas ekzekutimit të dështuar në shtetin amerikan të Tenesit. 50-vjeçarja ka rrëfyer dhimbjet e vazhdueshme fizike dhe pasojat psikologjike që po përjeton pas procedurës së ekzekutimit, e cila nuk arriti të përfundonte.
Në një mesazh të publikuar të premten nga ekipi i saj ligjor, Pike tregoi se që prej injektimit të një doze të lartë të substancës pentobarbital, më 30 shtator, nuk ka kaluar asnjë moment pa dhimbje.
“Më dhemb trupi, krahët, duart dhe fyti. Ende e kam të vështirë të flas. Por dhimbja nuk është vetëm fizike. Ka dhimbje në mendjen dhe shpirtin tim”, u shpreh ajo, duke kritikuar edhe atë që e cilësoi si paaftësi që ka sjellë këtë situatë të rëndë.
Pike ishte vendosur në barelën e dhomës së ekzekutimit në Tenesi, ku do të zbatohej dënimi me vdekje për vrasjen e shoqes së saj të klasës, Colleen Slemmer, në vitin 1995. Në atë kohë, Pike ishte vetëm 18 vjeçe.
Gjatë procedurës, ekipit të ekzekutimit iu deshën afro 60 minuta për të siguruar një linjë intravenoze për administrimin e substancës vdekjeprurëse. Megjithatë, përpjekja dështoi dhe 50-vjeçarja mbijetoi.
Pas ngjarjes, ajo qëndroi për 10 ditë në kujdes intensiv në spital, përpara se të rikthehej në qendrën e rehabilitimit Debra Johnson në Nashville. Aktualisht, ajo mbahet kryesisht në izolim, një situatë që, sipas saj, po i shkakton vuajtje të tjera psikologjike.
Pike tha se mungesa e kontaktit me njerëzit dhe e lidhjeve njerëzore është veçanërisht e vështirë për të, pasi edhe 28 vitet e para të qëndrimit në burgun e të dënuarve me vdekje i kishte kaluar në kushte izolimi.
Hetim për ekzekutimin e dështuar
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në shtetin e Tenesit dhe në mbarë SHBA-në. Pas dështimit të procedurës, guvernatori republikan Bill Lee urdhëroi pezullimin e ekzekutimeve të tjera deri në përfundimin e një hetimi të pavarur për të përcaktuar se çfarë ndodhi.
Ende nuk është përcaktuar se cili do të jetë fati i mëtejshëm i dënimit me vdekje për Christa Pike. Guvernatori Lee ka deklaruar se pret që dënimi të mbetet në fuqi, përveç rastit kur gjykatat vendosin ndryshe.
Në deklaratën e saj të parë pas ngjarjes, Pike tregoi se ishte përgatitur psikologjikisht për të vdekur dhe se e kishte pranuar fatin e saj atë natë.
Megjithatë, zgjimi në spital, e vetme, e hutuar dhe mes dhimbjeve, e ka përballur me një realitet të cilin thotë se ende po përpiqet ta kuptojë.
Ajo falënderoi mjekët, infermierët, avokatët dhe të gjithë personat që i kanë qëndruar pranë, duke theksuar se po përpiqet të rikuperohet çdo ditë dhe të gjejë forcë te mbështetja e njerëzve që i kanë kujtuar se nuk është vetëm.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






