Transmetuar më 30-10-2026, 17:46

Dy marrëveshje të reja synojnë t’i japin një shtysë bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Kinës. Ditën e djeshme në Pekin, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë nënshkroi marrëveshje me dy organizata të rëndësishme të biznesit kinez, duke hapur mundësi të reja për kompanitë e të dy vendeve.

Marrëveshja e parë u nënshkrua me Dhomën Kineze të Tregtisë dhe Elektronikës, me fokus sektorin e elektronikës dhe teknologjisë. E dyta u nënshkrua me Dhomën e Përgjithshme të Tregtisë së Kinës.

Ndërkohë në delegacionin shqiptar ishin mbi 30 përfaqësues të bizneseve dhe sipërmarrjeve, të cilët udhëtuan drejt Kinës për të zhvilluar kontakte të drejtpërdrejta dhe për të identifikuar mundësi konkrete partneriteti.

Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, z.Nikolin Jaka, theksoi se prioritet është rritja e pranisë së produkteve shqiptare në tregun kinez dhe ngushtimi i disbalancës tregtare mes dy vendeve. Ai vlerësoi se bizneset shqiptare janë të gatshme për partneritete me sipërmarrjet kineze, ndërsa shprehu ambicien që Kina të bëhet partneri i parë tregtar i Shqipërisë.

Procesi u ndërmjetësua gjithashtu sajë Ambasadës së Shqipërisë në Pekin dhe ambasadorit z.Riza Poda, përmes mbështetjes institucionale dhe forcimit të kontakteve me strukturat e biznesit kinez.

Marrëveshjet krijojnë një bazë të re për bashkëpunim. Sfida tashmë është që kontaktet e vendosura të përkthehen në kontrata, investime dhe shkëmbime tregtare konkrete mes dy vendeve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit