Transmetuar më 30-10-2026, 17:11

Policia e Shtetit pritet të pajiset me kamera trupi për efektivët që shërbejnë në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, gjatë një konference për shtyp së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

Demo deklaroi se protestat e fundit kanë nxjerrë në pah nevojën për fuqizimin teknologjik të strukturave të policisë, duke bërë të ditur se vendosja e kamerave të trupit do të jetë një nga masat e para që do të ndërmerren.

Sipas ministrit, pamjet e regjistruara do të përdoren për dokumentimin dhe identifikimin e personave që kryejnë akte dhune, por edhe për të garantuar që veprimet e punonjësve të policisë të jenë në përputhje me ligjin.

“Nga këto protesta kemi konstatuar që nevoja për fuqizimin teknologjik të Policisë së Shtetit tashmë është imperative. Do të punojmë që të ecim me hapa të shpejtë për përdorimin e teknologjisë në punën që ushtron Policia e Shtetit.

Elementi i parë do të jenë kamerat e trupit, të cilat shumë shpejt do t’i vendosim në funksion, duke filluar me policinë në Bashkinë e Tiranës. Do të kemi përdorimin e këtyre imazheve për të faktuar dhunën apo veprat e paligjshme të kryera nga individë të caktuar dhe për të garantuar që veprimet e policisë janë brenda kornizës ligjore”, deklaroi Demo.

Ministri bëri të ditur se po shqyrtohen gjithashtu mundësi të tjera për modernizimin e policisë, përfshirë pajisjen me radio të reja dhe përdorimin e mjeteve të teknologjisë digjitale në punën hetimore.

Ai zbuloi gjithashtu se Policia e Shtetit po përdor teknologji për identifikimin e personave të maskuar që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë gjatë protestave të fundit.

Sipas Demos, materialet e mbledhura i janë referuar Prokurorisë, ndërsa përmes analizimit të tyre është bërë i mundur identifikimi i disa personave të dyshuar.

Gjatë deklaratës së tij, ministri iu drejtua edhe Gjykatës dhe Prokurorisë së Tiranës, duke kërkuar një reagim të unifikuar institucional ndaj personave përgjegjës për aktet e dhunës.

“Iu bëj thirrje Gjykatës dhe Prokurorisë së Tiranës për një përgjigje uniforme në mbrojtje të shtetit, pronës dhe sigurisë kolektive, në mënyrë që ata elementë të cilët realisht kanë kryer dhunë mbi kryeqytetin e shqiptarëve të kenë një standard sa i përket përgjegjësisë ligjore me të cilën duhet të përballen”, u shpreh ministri.

Në përfundim, Demo theksoi se detyra e policisë është garantimi i rendit dhe sigurisë, si dhe mbrojtja e tubimeve të ligjshme e paqësore. Ai nënvizoi se ndërhyrja e forcave të rendit do të jetë e nevojshme në rastet kur ushtrohet dhunë ndaj institucioneve apo qytetarëve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit