Transmetuar më 30-10-2026, 17:09

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka shprehur shqetësim për përfshirjen e të miturve në protestat e dhunshme të zhvilluara gjatë javëve të fundit. Gjatë një konference për shtyp, ku ishte i pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Demo bëri të ditur se deri më tani janë shoqëruar 269 persona nën moshën 18 vjeç.

Ministri e cilësoi këtë situatë shqetësuese, veçanërisht për shkak të përfshirjes së të miturve në vijën e parë të përplasjeve dhe në akte dhune.

“Shqetësuese përfshirja e të miturve në akte dhune, në vijën e parë. 269 të shoqëruar nën moshën 18 vjeç. Kjo tregon më së miri sfidën ndërinstitucionale për të adresuar këtë fenomen shqetësues, për të adresuar një plagë. Për të miturit duhet të gjejmë rrugën, mbështetjen e duhur që ky fenomen të jetë një kujtim i hidhur i këtyre javëve të fundit”, deklaroi Demo.

Gjatë komunikimit me mediat, ministri u ndal edhe te bilanci i personave të lënduar gjatë protestave, duke e cilësuar nivelin e dhunës si të paprecedentë.

Sipas shifrave të bëra publike prej tij, në total janë regjistruar 347 persona të lënduar. Prej tyre, rreth 200 janë punonjës të Policisë së Shtetit, 107 protestues dhe 39 kalimtarë, mes të cilëve edhe disa gazetarë.

Përfshirja e një numri të konsiderueshëm të miturish në këto ngjarje mbetet një nga shqetësimet e ngritura nga ministri, i cili theksoi nevojën për një qasje ndërinstitucionale dhe mbështetje të posaçme për këtë kategori.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit