

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka publikuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë që ndodhen në Shqipëri, në prag të protestës së paralajmëruar për ditën e shtunë në kryeqytet.
Përmes këtij njoftimi, ambasada u kërkon qytetarëve të saj të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat, veçanërisht në qendër të Tiranës dhe pranë institucioneve qeveritare.
Sipas autoriteteve diplomatike amerikane, disa nga protestat e zhvilluara së fundmi kanë përfunduar në përplasje të dhunshme, ku janë përdorur mjete ndezëse, janë hedhur gurë dhe janë shkaktuar dëme materiale.
Ambasada paralajmëron se tubime të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim, si në Tiranë ashtu edhe në qytete të tjera të vendit. Situata mund të sjellë shtim të pranisë policore, bllokime të trafikut, devijime të qarkullimit dhe mbyllje të përkohshme të rrugëve.
Në njoftim theksohen gjithashtu rreziqet me të cilat mund të përballen personat që ndodhen pranë zonave të protestave, përfshirë ekspozimin ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarrëve të hedhur në drejtim horizontal, mjeteve ndezëse dhe predhave prej gome.
Për këtë arsye, personelit të Ambasadës Amerikane i është kërkuar të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstratat.
Paralajmërimi përfshin edhe mundësinë e kufizimeve apo mbylljes së disa shërbimeve publike në kryeqytet, përfshirë transportin publik dhe institucionet qeveritare.
Në përfundim, ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë të shmangin pjesëmarrjen ose qëndrimin pranë protestave, të ndjekin mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve shqiptare, si dhe të kenë një plan emergjence në rast se gjenden në zonat ku zhvillohen demonstratat.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






