Transmetuar më 30-10-2026, 15:35

Procesi i lotarisë amerikane për vizat e emigracionit është përballur me një tjetër pengesë ligjore. Një gjykatë federale e apelit në San Francisko të Kalifornisë ka pezulluar përkohësisht vendimin që detyronte administratën e presidentit Donald Trump të rihapte programin e Lotarisë Amerikane.

Sipas raportimit të medias amerikane Newsweek, vendimi është marrë nga një trupë prej tre gjyqtarësh dhe i jep mundësi qeverisë amerikane të mbajë të pezulluar programin, deri në shqyrtimin e mëtejshëm të apelimit.

Çështja gjyqësore nisi pas një padie të depozituar në muajin gusht nga firma ligjore Red Eagle Law kundër Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Padia lidhej me mosnisjen e regjistrimeve për programin e lotarisë së vizave për vitin 2027.

Më herët, gjykata kishte konstatuar se Departamenti Amerikan i Shtetit nuk kishte dhënë një shpjegim për mosnisjen e aplikimeve, duke e konsideruar situatën si një anulim de facto të programit.

Megjithatë, vendimi i fundit nuk përbën një mbyllje përfundimtare të çështjes. Ai pezullon vetëm zbatimin e urdhrit të gjykatës së shkallës më të ulët, ndërsa beteja ligjore pritet të vijojë në instancat përkatëse.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i palës paditëse ka bërë të ditur se do të vazhdojnë përpjekjet ligjore për të mbrojtur të drejtat e personave të përzgjedhur në program.

Çfarë ndodh me Lotarinë Amerikane?

Programi i Lotarisë Amerikane, i njohur si Diversity Visa (DV), parashikon shpërndarjen e deri në 55 mijë vizave të emigracionit çdo vit për shtetasit e vendeve që kanë nivele historikisht të ulëta emigrimi drejt Shteteve të Bashkuara.

Më 18 dhjetor 2025, administrata Trump njoftoi pezullimin e përkohshëm të programit, në kuadër të masave të ndërmarra nga qeveria amerikane.

Për momentin, procesi mbetet i përfshirë në një betejë ligjore dhe vendimi i fundit i gjykatës nuk nënkupton anulimin përfundimtar të Lotarisë Amerikane. Ecuria e mëtejshme do të varet nga shqyrtimi i apelimit dhe vendimet që do të merren nga drejtësia amerikane.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit