Transmetuar më 30-10-2026, 15:19

Zgjedhjet vendore më 9 maj 2027, Presidenti dekreton datën, ja si u mor vendimi dhe cilat parti morën pjesë në konsultime

Presidenti i Republikës ka dekretuar 9 majin 2027 si datën e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri.

Vendimi është marrë në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor, sipas të cilit zgjedhjet vendore duhet të zhvillohen gjatë periudhës zgjedhore të pranverës, që përfshin katër të diela ndërmjet datave 15 prill dhe 15 maj.

Përpara përcaktimit të datës, Kreu i Shtetit ftoi në konsultime të gjitha forcat politike të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, në cilësinë e përfaqësuesit të institucionit përgjegjës për administrimin e proceseve zgjedhore.

Ftesës iu përgjigjën Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Forcat e tjera politike nuk morën pjesë në konsultime dhe nuk shprehën publikisht ndonjë preferencë për datën e zgjedhjeve.

Sipas njoftimit të Presidencës, pjesëmarrësit në konsultime u treguan të hapur ndaj alternativave të mundshme.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve propozoi datën 9 maj 2027, duke argumentuar se ajo u jep institucioneve përgjegjëse më shumë kohë për të përgatitur dhe zbatuar masat e nevojshme për organizimin e procesit zgjedhor.

Edhe Partia Socialdemokrate shprehu mbështetjen për këtë datë.

Presidenca thekson se zgjedhja e 9 majit nuk lidhet me ndonjë synim për të favorizuar subjekte të caktuara politike dhe as me rrethana që mund të ndikojnë negativisht në shprehjen e lirë të vullnetit të zgjedhësve.

Në këto kushte, Presidenti vendosi të zyrtarizojë përmes dekretit datën 9 maj 2027 për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.

Me rastin e shpalljes së datës, Kreu i Shtetit u bëri thirrje partive politike të marrin pjesë në garën elektorale me alternativa konkrete, programe dhe kandidatë që i përgjigjen rëndësisë së këtij procesi demokratik.

Presidenti kërkoi gjithashtu që subjektet politike të zhvillojnë një konkurrim të drejtë, të respektojnë legjislacionin zgjedhor dhe parimin e kushteve të barabarta në garë.

Një tjetër apel iu drejtua forcave politike për të bashkëpunuar pa rezerva me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim garantimin e një procesi zgjedhor transparent, korrekt dhe në përputhje me standardet më të larta demokratike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit