

Përplasja për kontrollin e Aeroportit të Vlorës merr një tjetër drejtim. Kompania Mabco, e lidhur me biznesmenin Behgjet Pacolli, ka vendosur shkarkimin e administratorit Vegim Hoxha, i emëruar më herët nga Valon Ademi, duke propozuar në këtë pozicion Eglantina Seferajn.
Sipas dokumenteve zyrtare, më 17 tetor 2026, Mabco ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve të shoqërisë koncesionare VIA. Në rendin e ditës ishte përfshirë vetëm një çështje: shkarkimi i administratorit Vegim Hoxha dhe emërimi i Eglantina Seferajt në këtë detyrë.
Mbledhja është zhvilluar pa praninë e përfaqësuesve të kompanisë 2A Group. Pas konstatimit të kuorumit, vendimi për ndryshimin e administratorit është zyrtarizuar nga Emin Pacolli, i cili ka autorizuar gjithashtu ndjekjen e procedurave për regjistrimin e tij në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Fillimisht, QKB nuk e regjistroi ndryshimin për shkak të mangësive në dokumentacionin e paraqitur nga Mabco. Megjithatë, këtë të premte vendimi është pasqyruar në ekstraktin e shoqërisë VIA, ku Eglantina Seferaj rezulton administratore e re.
Përplasja për 47% të kuotave
Shkarkimi i Vegim Hoxhës vjen në një moment kur mes ortakëve të shoqërisë koncesionare vijon konflikti për pronësinë dhe kontrollin e aeroportit.
Hoxha ishte emëruar administrator në dhjetor të vitit të kaluar nga Valon Ademi, pasi gjykata kishte pezulluar të drejtën e votës së kompanisë Mabco Constructions në shoqërinë koncesionare.
Një element që e bën më të rëndësishëm këtë zhvillim është koha kur është marrë vendimi. Shkarkimi i Hoxhës më 17 tetor ka ndodhur vetëm dy ditë pasi ai kishte paraqitur në QKB aplikimin për regjistrimin e shitjes së 47% të kuotave të Mabco te kompania 2A Group.
Aplikimi ishte regjistruar fillimisht më 19 tetor, por një javë më vonë QKB anuloi regjistrimin e transaksionit, duke argumentuar se nuk ishte depozituar pëlqimi i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT).
Pas këtij vendimi, struktura e kuotave u rikthye në gjendjen e mëparshme: 98% për Mabco dhe 2% për 2A Group.
Pronari i 2A Group, Valon Ademi, reagoi duke deklaruar se pronësia e kuotave nuk përcaktohet nga titujt mediatikë, por buron nga kontratat.
Ademi ngriti gjithashtu pretendime lidhur me interesat që, sipas tij, qëndrojnë pas Behgjet Pacollit në projektin e Aeroportit të Vlorës, duke përmendur edhe dhëndrin e ish-presidentit të Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev.
Përplasja mes palëve për kontrollin e shoqërisë koncesionare vijon të mbetet e hapur, ndërsa ndryshimet në administrim dhe mosmarrëveshjet për pronësinë e kuotave pritet të jenë pjesë e betejës së mëtejshme juridike.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






