

SHKODËR – Një bazë e dyshuar për magazinimin dhe përpunimin e lëndëve narkotike është zbuluar në një zonë të pyllëzuar në Koman, ku policia ka sekuestruar mbi 56.7 kilogramë kanabis. Në kuadër të operacionit të koduar “Gjurmët”, janë arrestuar katër persona, ndërsa një tjetër është proceduar në gjendje të lirë.
Të arrestuarit janë katër shtetas të moshave 33, 39, 45 dhe 67 vjeç, banues në Shkodër, Vau të Dejës dhe Tiranë. Ndërkohë, në gjendje të lirë po hetohet edhe një 38-vjeçar, vëllai i njërit prej të arrestuarve.
Nga hetimet disajavore dyshohet se pesë personat bashkëpunonin për transportimin e lëndës narkotike Cannabis Sativa me automjete dhe varka drejt një zone të pyllëzuar në fshatin Koman, ku e fshihnin dhe e përgatitnin për shitje.
Gjatë ndërhyrjes, policia kontrolloi një ambient të përshtatur për kamping, në pronësi të njërit prej të arrestuarve, si dhe automjete në përdorim të dy personave të tjerë. Në këto ambiente u gjetën 10 thasë me kanabis, me peshë totale mbi 56.7 kilogramë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Operacioni u finalizua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin e Mbështetjes Operacionale.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






